Fillon samiti “Maqedonia 2025”, vendi shënon përparim ekonomik të ngadalshëm

26.04.2023 14:39

Maqedonia e Veriut po ec me hapa të ngadalta drejt rikuperimit....

Maqedonia e Veriut po ec me hapa të ngadalta drejt rikuperimit pas krizës ekonomike dhe energjetike të shkaktuar si pasojë e Covid 19. Kjo u tha në hapjen e Samitit “Maqedonia 2025”.

Ekspertët sugjerojnë se vendit i nevojitet përparim në shtatë fusha kyçe që përfshijnë arsimin dhe kapitalin njerëzor, konkurrencën, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, shoqërinë demokratike, mjedisin, menaxhimin publik dhe digjitalizimin dhe aftësitë digjitale.

“Në disa prej indikatorëve të rëndësishëm ka përparim, megjithatë kur bëjmë krahasime me vendet e tjera të rajonit apo me vendet tjera që janë anëtare të reja të BE-së, përsëri stagnojmë. Pothuajse te të gjitha segmentet jemi në fund të matjeve ekonomike, përkatësisht përparimi është i ngadaltë.”, - deklaroi drejtoresha ekzekutive e “Maqedonia 2025”, Nikica Mojsoska Bllazhevska.

Kovaçevski: Me ndërtimin e korridoreve hapet perspektivë e re

Nga ana tjetër kryeministri Kovaçevski u lëvdua me politikat ekonomike të Qeverisë së drejtuar nga ai. Tha se vendi ka përparim në gjysmën prej indikatorëve ekonomik.

Nga një vend i izoluar Maqedonia e Veriut është shndërruar në vend me perspektivë ekonomike, ndërsa premtoi se me ndërtimin e korridorit 8 dhe 10, vendin e pret një ardhmëri e mirë në aspekt ekonomik.

“Me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, Maqedonia e Veriut hyn në hartën e Evropës si udhëkryq dhe do të na bëjë kryqëzimin e dy korridoreve të rëndësishme. Implikimet ekonomike të realizimit të këtij projekti janë të shumëfishta, do të nënkuptojnë vende të reja pune dhe para të reja nga buxheti për investime që do të kenë ndikim në produktin e brendshëm bruto.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Në këtë event, i cili është një platformë për ndarjen e njohurive, lidhjen dhe nxitjen e ndryshimeve në rajon, rreth 40 folës, ekspertë më të mirë në fushën e tyre, do të ndajnë përvojat dhe njohuritë e tyre me audiencën.

Përveç temave të digjitalizimit dhe transformimit në drejtim të krijimit të shoqërive të begata, në samit do të diskutohen tema rajonale dhe globale, duke përfshirë një nga më aktualet për momentin,  përdorimin dhe potencialin e inteligjencës artificiale. (Ersan Pajaziti, TVM2)