Ndërtimi i korridorit 8, Bislimi: I rëndësishëm për biznesin dhe qytetarët

26.04.2023 14:55

Profesori universitar Sami Bislimi, për TVM2...

Ekonomia reale e vendit, por dhe vlerësimet për rritje ekonomike nga Banka Botërore nuk janë aq pozitive. Krizat e njëpasnjëshme që rënduan ekonominë kanë qenë të shumta e një ndër to dhe mungesa e produkteve dhe lëndëve të para që shkaktoi dhe rritjen e çmimeve të produkteve duke dhënë efektin final, inflacionin. Komponentë kryesor për rritjen e çmimeve ka qenë dhe kosto e transportit.

Profesori universitar Sami Bislimi, për TVM2, thotë se ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10-D është projekt i rëndësishëm për ekonominë e vendit, por dhe të rajonit për të ulur koston e transportit dhe shkurtimin e kohës. Sipas Bislimit, ndërtimi këtyre korridoreve dukshëm do të ndikon në rritje ekonomike pasi që kryesisht vendet e rajonit janë vende më shumë importuese.

“Çdo shtet ka nevojë që të lidhet me vende të tjera me qëllim që ekonomia e atij vendi të shënojë rritje. Rritja shënohet në bazë të rrugëve të transportit, lidhshmërisë  mes vendeve të ndryshme dhe shpejtësia e qarkullimit të mallit mundëson që produktet shpejt të dalin në treg. Ndërtimi i korridorit është shumë i dobishëm, sikur për qytetarët e vendit, por dhe gjithë ato që gravitojnë rreth korridorit të ndërtuar. Ambasada e ShBA-ve doli me vlerësim se Korridori 8 do të jetë i dobishëm për ekonominë e vendit dhe vendeve të tjera. Ekonomia e vendit është e varur prej produkteve të gatshme, por dhe lëndëve të para.”, - deklaroi ekonomisti, Sami Bislimi.

Bislimi: VMRO u dëshmua me rrugën Kërçovë - Ohër 

Bislimi kritikon opozitën Maqedonase për arsyet e vonimit të projekteve të kësaj rëndësie, duke ua rikujtuar se kjo opozitë, në kohën që ka qenë në pushtet, ka zhytur shtetin në borxhe edhe pa përfunduar projektet.

“Tek ne, veçanërisht VMRO kundërshton projekte të Qeverisë, nëse bazohemi në praktikën kur ata ishin në Qeveri çdo projekt i tyre stërzgjatej, sikurse rruga Kërçovë-Ohër, ku është filluar me kredi kineze dhe akoma nuk ka përfunduar, ata nuk kanë të drejtë morale të akuzojnë për një gjë që nuk e kanë bërë vetë.”, - theksoi ekonomisti, Sami Bislimi.

Më 8 mars, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga Korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)