Rritet imunizimi në vend, vaksinat mbrojnë nga sëmundjet e parandalueshme
Kohëve të fundit vërehet një përmirësim....

Kohëve të fundit vërehet një përmirësim në përfshirjen kombëtare të vaksinimit të rregullt të fëmijëve, por ende nuk është arritur pragu i rekomanduar për imunitet kolektiv, thonë autoritetet.
Theksojnë se pandemia Covid uli ndjeshëm imunizimin në vend, mirëpo trendi po ndryshon, të gjitha vaksinat që merren deri në 12 muaj, me përjashtim të vaksinave pneumokokale dhe rota, kanë arritur përfshirje rreth 84 për qind.
Rritje ka edhe vaksina MRP, me një përfshierje prej 70 për qind. Po ashtu, vërehet një rritje e ndjeshme me vaksinën HPV me mbi 50 për qind.
“Edhe pse kemi përmirësuar përfshirjen kombëtare të vaksinimeve të rregullta për fëmijët, dua të theksoj se pragu i rekomanduar për imunitetin kolektiv, i përcaktuar nga programi i detyrueshëm i imunizimit 95% në nivel kombëtar dhe 90% në nivel lokal, nuk është arritur ende. Prandaj, ne vazhdojmë të punojmë intensivisht në këtë temë.”, - deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Maja Manoleva.
Vaksinat e rregullta janë të sigurta dhe efektive dhe vonesa e imunizimit i vë fëmijët në rrezik serioz të sëmundjeve që mund të parandalohen. Hulumtimet kanë treguar se shqetësimi më i zakonshëm i prindërve është frika nga efektet anësore.
“Vaksinat janë të sigurta, atë që prindërit tanë bënë për ne, tani u bëj thirrje prindërve që të bëjnë për fëmijët e tyre, sepse ishim shumë të mbrojtur me vaksinimin tonë.”, - theksoi përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në vend, Patricia Di Giovanni.
"Njerëzit e pavaksinuar dhe jo të vaksinuar plotësisht mbeten në rrezik të prekjes nga sëmundje të parandalueshme si fruthi, difteria dhe paraliza tek fëmijët”, - u shpreh zyrtari kombëtar i imunizimit në zyrën e OBSh-së, Goran Kocinoski.
Autoritetet shëndetësore dhe UNICEF, përmes një fushate në terren, do të informojnë prindërit për përfitimet shëndetësore të vaksinimit në kohë të fëmijëve. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
