Ngrirja e çmimeve, gjoba dhe kallëzime penale për moszbatim

26.04.2023 15:35

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka paralajmëruar kallëzim penal....

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj tregtarëve, të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve.

Bekteshi tha se gjatë ditës së djeshme nga institucionet kompetente janë konfiskuar mbi 15 ton pemë e perime.

Kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerime, tha Bekteshi, i cili bëri të ditur edhe emrat e disa prej marketeve më të mëdha që kanë shkelur vendimin e Qeverisë. Sqaroi se këtyre marketeve u janë shqiptuar gjoba dhe në mënyrë shtesë deri në fund të javës do të ngriten kallëzime penale.

“Kallëzime kundërvajtëse ndaj drejtuesve të tregut me shumicë për pemë dhe perime, kompanisë “Anmark DOOEL”, gjoba për importuesit e fruta-perimeve për kompanitë “Astra Fresh”, “Savari”, “Atlantic”, “Fruta-Frukta”, “Streama”, “Nehar Fresh”, “Emma Style” e të tjera dhe sigurisht që ka gjoba për shitës me pakicë si “Vero”, “Stokomak”, “Kipper”, “Zendolino”, “Tinex”, “Misa MKB”.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, tha se në tregun me shumicë janë konstatuar shumë shkelje. Sipas tij, në treg janë gjetur tregtarë që nuk mbajnë evidencë.

Bëri thirrje që të gjithë subjektet ekonomike t’i paguajnë urdhëresat, kurse njoftoi se të gjithë inspektorët që kanë konstatuar shkelje do të paraqiten në seancat gjyqësore.

Nga sot e tutje të gjithë inspektorët të cilët kanë konstatuar shkelje, do të paraqiten në seancat gjyqësore dhe do t’i mbrojnë ligjet nëpërmjet të cilave i kanë konstatuar shkeljet. Praktika të moslajmërimit të inspektorëve në seancat gjyqësore nuk do të ketë në të ardhmen, për shkak se sistemi patjetër të funksionojë dhe do të funksionojë.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.

Autoritetet u bënë thirrje edhe qytetarëve që nëse vërejnë parregullsi apo keqpërdorje me çmimet, të lajmërohen në Inspekoratin e Tregut. (Belinda Koka Ademi, TVM2)