Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, mblidhet grupi i punës, Caca Nikollovska zgjedhet kryetare
26.04.2023 16:18
Grupi i Punës për ndyrshimet kushtetuese mbajti seancën e parë konstituive...

Grupi i Punës për ndyrshimet kushtetuese mbajti seancën e parë konstituive. Ish-gjykatësja në gjykatën e Strazburgut, Margarita Caca Nikollovska, u zgjodh kryetare e grupit të punës. Zëvendëskryetar u caktua ish-gjykatësi në gjykatën kushtetuese, Bajram Pollozhani. 23 anëtarët e grupit të punës u dakorduan që punimet rreth amendamenteve pas pushimeve të një majit.
Pendarovski: Me bullgarët nuk rrënohet shteti
Përfaqësues në grupin e punës ka deleguar edhe presidenti Stevo Pendarovski, i cili konsideron se me hapjen e kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në të, Maqedonia nuk do të humb asgjë.
“Këtu s’ka kurrfarë agjenda të fshehura dhe askush të mos frikohet se diçka mund të bëhet jashtë asaj që është e vendosur në preambulë për bashkësitë e tjera etnike. Dallim për bullgarët s’do të ketë. Unë marrë pjesë me përfaqësuesin tim dhe me këtë e them qartë qëndrimin tim politik se jam për ndryshimet kushtetuese dhe nuk mendoj se është diçka e tmerrshme për ne dhe nuk mendoj se shteti do të rrënohet nëse përfshijmë bullgarët në kushtetutë bashkë me bashkësitë e tjera.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Kovaçevski: Takimet do të jenë transparente
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se procedura realizohet sipas kornizës negociuese të dakorduar me Brukselin dhe pret transparencë nga grupi i punës.
“Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është formuar grup i punës, i obliguar nga Qeveria që në përputhje me konkluzat e Kuvendit të pranojë propozimin evropian për nisjen e bisedimeve dhe në përputhje me kornizën negociuese. Grupi i punës normalisht se do të jetë transparent në pjesën se si punon, por nuk e di se a prisni që kamerat të jenë prezentë përderisa ata bisedojnë.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Të shpërbëhet grupi, është jokredibil
Grupi i punës bojkotohet nga opozita. VMRO-DPMNE konsideron se grupi i punës duhet të shpërbëhet pasi nuk ka kredibilitet.
“Kovaçevski dhe Grubi nuk kanë ekspertë, shfrytëzojnë disa njerëz të afërt partiak të cilët janë ekspertë për gjithçka. Ekspertët e vërtetë nuk duan të jenë pjesë e këtij cirkut të pushtetit me pensionistë, mbështetës të Putinit dhe sekretar të shkollave”, thonë nga VMRO – DPMNE.
Bullgarët në vend nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Kovaçevski kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në grupin e punës. Kërkesa e tyre vjen pasi presidenca dhe ekzekutivi refuzuan kërkesën bullgare që Sofja zyrtare të përfshihet në ndryshimet kushtetuese.
MERALE ISMAILI
