Këshilli Gjyqësor, shkarkohet kryetarja, Vesna Dameva
Shtatë anëtarë të Këshillit Gjyqësor...

Shtatë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të udhëhequr nga zëvendëskryetari Selim Ademi, votuan për shkarkimin e kryetares së Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva. Ademi për TVM2 theksoi se Dameva është shkarkuar pasi ka bllokuar zgjedhjen e gjykatësve të ri në Gjykatën e Apelit, ndërsa ka pasur edhe mosmarrëveshje të vazhdueshme me dy anëtaret e Këshillit Gjyqësor. Njëra ndër shkaqet kryesore që kishte pasojë shkarkimin e Damevës është se ajo ka fshehur për dy javë letrën e dërguar nga Ambasadorja e ShBA-ve në Shkup, Angela Aggeler sa i përket pakënaqësive në sistemin gjyqësor.
“Nga arsyeja që kryetarja e Këshillit nuk ka guxim ta vendosë në votim, unë propozoj që propozimi im të vihet në votim. Kush është për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, të ngrit dorën!?”, - theksoi nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
Këtë vendim Dameva e vlerësoi si kundërligjor, për të cilin tha se do të jenë të kënaqur disa persona nga politika.
“Ky vendim do të jetë kundërligjor, por me siguri duhet të plotësohen dëshirat e dikujt. Për këtë vendim me 7 vota, nuk është paraparë dhe konstatuar bazë për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor dhe nuk ka numër të votave me të cilat sillet vendimi, zëvendëskryetari e mori të drejtën të konstatojë, shkarkojë kryetarin e Këshillit Gjyqësor. Unë sinqerisht nuk e di se si do të përfundojë kjo çështje, përveç se persona të caktuar nga politika do të jenë të kënaqur. Kjo është anarki, kam frikë se gjithçka doli nga kontrolli.”, - u shpreh kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Njëherit, nënkryetari Ademi për TVM 2 hedh poshtë zërat se mosmarrëveshjet në Këshillin Gjyqësor, kanë të bëjnë me iniciativën për shkarkimin e gjykatësit Enver Bexheti, i cili kishte lëndën "Target dhe Fortesa".
Sipas tij deri më tani nuk është parashtruar iniciativë e tillë. Më 27 prill, Këshilli Gjyqësor ka caktuar seancë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
