Presidentja e Kosovës, Osmani në RMV, Pendarovski: Përkrahim integrimin tuaj euro-atlantik

26.04.2023 17:28

Situata e brendshme në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë....

Situata e brendshme në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, bashkëpunimi dypalësh, stabiliteti rajonal dhe  angazhimet për  perspektivën e përbashkët euro-integresuese ishin në fokus të bisedimeve mes dy kryetarëve të vendeve, Stevo Pendarovski dhe Vjosa Osmani.

Shefi i shtetit, nikoqir i presidentes së Kosovës siguroi këtë të fundit se Shkupi zyrtar,  pa rezervë, do ta mbështesë përfshirjen e Kosovës  në nisma, organizmat dhe  institucionet evropiane dhe trans-atlantike.

“Me këtë rast do të doja të riafirmoja qëndrimin tonë se përkrahim aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe se RMV-ja është e gatshme të  ndajë përvojat e veta mbi procesin e reformave, si në rrugën e BE-së, ashtu edhe të NATO-s. Përkrahim vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe aktivisht përkrahim pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale dhe të formave tjera kontinentale të bashkëpunimit.”, - deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.

Osmani: Me RMV-në na lidh synimi dhe bashkëkombësit

Presidentja Osmani mirënjohëse ndaj shtetit tonë për rolin kontruktiv ndaj  rrugës perëndimore të shtetit kosovar.  Shkupin dhe Prishtinën e lidh gjeografia, familjet dhe synimi i përbashkët dhe këto lidhje kanë kapacitet të thellohen edhe më shumë, tha Osmani.

“Dua t’ju falënderoj juve z. president dhe të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut  për mbështetjen e palëkundur ndaj vendit tonë, e në veçanti për votën që Maqedonia e Veriut dha për Kosovën në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Si dy shtete që ndajnë vlera të përbashkëta dhe dy vendet tona do të vazhdojnë të ecin krah për krah njëra-tjetrës.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës përkujtoi kontributin thelbësor të shqiptarëve në shtetndërtimin, shoqërinë dhe institucionet  e RMV-së, duke nënvizuar ngritjen    e mëtutjeshme të bashkëkombësve të saj në shtetin tjetër.

“Është me rëndësi që të vazhdohet përkrahja dhe fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha sferat e shoqërisë, si qytetarë të barabartë e kontribuues kyç në avancimin e RMV-së.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)