Shqipëri, fushata për zgjedhjet lokale të majit

26.04.2023 17:42

Në vijim të fushatës për zgjedhjet e 14 majit...

Në vijim të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve të bëjnë kujdes dhe të qëndrojnë larg nga Sali Berisha, non grata.

“Ata vendosin se çfarë natyre kanë raportet e tyre me ne, në momentin kur një individ i shpallur “non-grata”, jo një individ dosido, por një nga individ që ka pasur jo pak pushtet, një ndër individët më të rëndësishëm të historisë së këtij vendi në 30 vite, mban damkën e një personi që është i padëshirueshëm.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkohë Rama komentoi edhe një poster të kandidatit të koalicionit Berisha-Meta, ku Belind Këlliçi shfaq një gjest të papranueshëm.

“Mund të mos kesh dëftesën, mund ta ngresh gishtin e mesit, ok, këto janë gjëra që kalojnë. Por, t’i japësh fytyrën, surrateve të së shkuarës që janë aty për interesat e tyre personale, kjo është e pavotueshme dhe e patolerueshme.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Reagimet për këtë poster kanë qenë të shumta që nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare, psikologët dhe disa institucione. Ndërkohë fushata e Partisë Demokratike vijoi me prezantimin e kandidatit për Bashkinë e Këlcyrës, i cili u tha qytetarëve se ndihet i keqardhur që vendlindja e tij ende vuan mungesën e dritave dhe ujit.

“Do të mbështes iniciativat e atyre që duan të investojnë në bujqësi e blegtori. Tregjet në Diasporë do të jenë prioritet për bimët medicinale, sherebeli, mjalti, vaji ullirit. Ata që do të investohen në këtë drejtim, do të kenë mbështetjen time.  Në këtë pikë s’do ta shoh si hapësirë më vete. Bashkëpunim me Floridën në ShBA.”, - u shpreh kandidati i PD-së në Bashkinë e Këlcyrës, Adriatik Spahiu.

Fushata deri më tani duket e qetë, pa u shënuar incidente serioze gjatë takimeve elektorale.