Parlamenti Evropian kritika Serbisë për afërsi me Rusinë

26.04.2023 17:54

Parlamenti Evropian, me anë të një raporti për Serbinë...

Parlamenti Evropian, me anë të një raporti për Serbinë, të miratuar në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar sërish Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Euro deputetët kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë. Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë.

Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.

Me anë të amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.

Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.

Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.

Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.