Maqedoni
Inaugurohet rruga “Ibrahim Rugova” në Shkup, kjo rrugë do të pasqyrojë identitetin kombëtar
27.04.2023 14:13
Çarshia e Shkupit e zbukuruar dhe gjallëruar si asnjëherë më parë për të mirëpritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu...

Çarshia e Shkupit e zbukuruar dhe gjallëruar si asnjëherë më parë për të mirëpritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e cila së bashku me vajzën e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, Teuta Rugova, dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, përuruan rrugën “Ibrahim Rugova” në Çair të Shkupit. Bëhet fjalë për rrugën ku gjendet ambasada e Shqipërisë në Kala të Shkupit.
“Janë rrugët ato që i lidhin njerëzit, qytetet dhe shtetet, ndaj kjo rrugë me këtë emër, jo vetëm që do ta lidhë Çairin me pjesën tjetër të këtij shteti, por do të jetë edhe motiv shtesë për qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë. Duke vendosur emra të mëdhenj të historisë sonë në rrugët tona, ne e nderojmë të kaluarën tonë, por edhe të tashmen duke u lënë brezave dëshmi për kontributin e burrave dhe grave tona për lirinë dhe shtetndërtimin.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
“Presidente, Ju faleminderit pa masë që na keni nderuar sot dhe bashkë me ne po e zyrtarizojmë rrugën e paraardhësit tënd, Ibrahim Rugova, emri i të cilit është një nga 66 emrat e rinj që kanë marrë rrugët e Komunës së Çairit, në mesin e të cilave janë shumë figura të shquara që do të jenë gjurmë e përhershme e përkujtimit për të gjithë gjeneratat e reja. Ibrahim Rugova tani erdhi dhe do të qëndrojë përherë në Shkupin e tij që e deshi me zemër.”, - theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Presidentja Sadriu njëherit bashkëbisedoi me shumë qytetarë dhe esnafin e Çarshisë, të cilët i bënë edhe dhurata. Qytetarët u shprehën të emocionuar nga vizita e presidentes kosovare, duke potencuar se kanë respekt të veçantë për Kosovën dhe punën e saj si presidente.
“Ne ishim mikpritës, ishte një ndjenjë shumë e veçantë të jemi ndër të vetmet në shkollat e Shkupit që patëm nderin të mirëpresim presidenten.”, - tha një qytetar.
“Ne ndjehemi krenar me secilin kosovar dhe shqiptar që vjen këtu.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Ishte ndjenjë shumë e bukur, ndjeva diçka që nuk e kisha ndjerë asnjëherë më parë, por ndjenjë patriotizmi.”, - tha një nxënëse.
“Kjo ishte një eksperiencë shumë e mirë, kisha shumë emocione dhe shpresoj se i ka pëlqyer organizimi që kemi bërë të gjithë.”, - tha një nxënëse tjetër.
“U ndjeva shumë mirë, nuk kam pasur ndonjëherë një ndjenjë kaq të mirë, është hera e parë që e shoh presidenten e Kosovës.”,- u shpreh një nxënëse.
Njëherit, presidentja Sadriu morri pjesë në ceremoninë e dhënies së urdhrit “Hasan Prishtina”, post mortum për Arbën Xhaferin, dhuroi libra për bibliotekën muze në gjuhën shqipe në Manastir, si dhe vendosi lule tek monumentet e Skënderbeut, Hasan Prishtinës dhe Nënë Terezës.
FLUTURA LATIFI
