Maqedoni
Pyetje të deputetëve, Korridoret 8 dhe 10-D, Kovaçevski: Deputetët do të kenë marrëveshjen
27.04.2023 14:41
Kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehet hapur se marrëveshjen e nënshkruar me konzorciumin “Bechtel-Enka”...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehet hapur se marrëveshjen e nënshkruar me konzorciumin “Bechtel-Enka” për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D do t’ia dorëzojë deputetëve. Kryeministri pas dyshimeve të shumta të deputetëve të VMRO-DPMNE-së tha se marrëveshja nuk parashikon aktivitete të fshehta dhe se procedura e shpronësimit do të vijojë pas caktimit të rrugës ndërtimore.
“Veç më kemi informuar kryeparlamentarin se në procedurë parlamentare të gjitha detajet e marrëveshjes dhe projektimi i korridoreve do të prezantohen para deputetëve me certifikatë sigurie dhe deputetët do të mund të sigurohen se të gjitha detajet janë në përputhje me ligjin special të cilin ata e kanë miratuar. Me ndryshimet ligjore për ndërtim ka procedurë të re ku fillimisht miratohet projekti urbanistik, i cili do të konfirmojë rrugën ndërtimore dhe më pas do të nis procedura e shpronësimit.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Projekti, me vetëdije bankrot kapital
Deputeti i VMRO-së, Bojan Stojanovski, tha se marrëveshja do të duhet të shfuqizohet pasi që do të eksploatojë punëtorët ndërkaq me vetëdije do të paguhen 53 milion euro si rrjedhojë e mospërmbushjes së obligimeve të ndërmarra me marrëveshjen.
“Ligji i shpronësimit, sikurse ligji për marrëdhënie pune është lëshuar në procedurë parlamentare dhe janë ndërmarrë obligime për të cilat Maqedonia do të paguajë penale, ndërkaq është jokushtetues. Ja, vendimi i gjykatës kushtetuese. Pse këta njerëz kanë marrë obligime për të cilat shteti do të paguajë penale duke e ditur se këto ligje janë antikushtetuese.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Besimi: Ligjet nuk ndalojnë projektin
Pretendimet e tilla u përgënjeshtruan nga dy ministrat për punë dhe politikë sociale dhe ministri i financave, edhe përkundër kundërshtimeve të njëzëshme të deputetëve të opozitës.
“Ligjet tona nuk ndalojnë projektin, do të realizohet sikurse është paraparë, por vetëm se do të na kushtojë më shumë, duhet të marrim hua më shumë dhe të paguajmë kamatë. Nuk bëhet fjalë për penale.”, - u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi.
Trençevska: Puna shtesë, me pëlqimin e punëtorit
“Të drejtat e punëtorëve janë të mbrojtura nga kjo qeveri me ligjin për marrëdhënie pune. Bëhet fjalë për projekt me interes strategjik dhe nacional, bëhet fjalë për punë shtesë e cila do të paguhet dhe e cila do të lejohet vetëm me deklaratë me shkrim dhe pajtim të punëtorit.”, - deklaroi ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovana Trençevska.
Ndërtimi i korridoreve për pesë vite, do të hap 8 mijë vende të punës dhe investime prej 1.3 miliard euro, pretendojnë nga qeveria. Tanimë 45 ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes, punimet ende nuk kanë nisur si pasojë e mos miratimit të ndryshimeve ligjore.
MERAL ISMAILI
