Maqedoni
Hyseni: RMV nuk humb, por fiton nga korridoret
27.04.2023 14:58
Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D është me rëndësi jetike për vendin...

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D është me rëndësi jetike për vendin, pasi përfituesja më e madhe nga ky projekt do të ishte vet Maqedonia e Veriut, vlerëson analisti politik Blerim Hyseni. Sipas tj, krahas përfitimeve ekonomike nga ky projekt, korridori 8 është e rëndësishme edhe në aspekt politik, pasi do të dëshmojë orientimin politik të vendit drejt Perëndimit.
“Maqedonia asgjë nuk humb, por vetëm se fiton nga ky korridor dhe në këtë rast, mendoj se Maqedonia si pasojë e së kaluarës së saj, ku gjithmonë politikanë të ndryshëm lidhjen e Maqedonisë e kanë parë vetëm me Serbinë, unë mendoj që ky korridor nuk lidh vetëm shqiptarët, por lidh vendet dhe interpretimet e kësaj natyre vijnë nga qarqet e ndryshme pro ruse dhe pro serbe të cilat kanë frikë nga orientimi politik i Maqedonisë që ka marrë viteve të fundit.”, - deklaroi analisti politik, Blerim Hyseni.
Duke komentuar diskursin politik të opozitës maqedonase, Hyseni thotë se trajtimi i kësaj teme me karakter etnik do ta kthente shtetin pas. Sipas tij, me çdo zvarritje të këtij projekti, pasojat më të mëdha do t’i ndjente vendi ynë, por edhe vendet e rajonit, pasi me këtë projekt Prishtina dhe Sofja do të afroheshin drejt portit të Durrësit.
“Çdo vonesë në këtë drejtim përbën edhe shkelmat e fundit të atyre që nuk dëshirojnë që Maqedonia të marrë një orientim ndryshe politik dhe unë mendoj se çdo tendencë e kësaj natyre do të demaskohet, jo vetëm nga partitë në pushtet, por do të demaskohet edhe nga faktori ndërkombëtar, ku të kemi parasysh se ky projekt ka marrë edhe një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, - theksoi analisti politik, Blerim Hyseni.
Për ndërtimin e autostradave të korridorit 8 dhe 10-D, Qeveria më 8 mars nënshkroi kontratën me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel-Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometrave autostradë.
ERSAN PAJAZITI
