Maqedoni
“Agimi i artë”, pengon ekspozitën e artistit maqedonas në Selanik
27.04.2023 15:17
Anëtarët e organizatës së ndaluar greke “Agimi i artë” me maska në fytyrë dhe kapelë kanë hyrë në ekspozitën e artistit maqedonas...

Anëtarët e organizatës së ndaluar greke “Agimi i artë” me maska në fytyrë dhe kapelë kanë hyrë në ekspozitën e artistit maqedonas, Sergej Andreevski, në galerinë e komunës së Selanikut në Kalamaria, me qëllim të ndërprerjes së aktivitetit. “Agimi i artë” është një ish–parti parlamentare, e cila në vitin 2020 me vendim të gjykatës greke është shpallur organizatë kriminale. Në një video të publikuar nga i ashtuquajturi “Fronti rinor – Agimi i artë” pretendon se ““Agimi i Artë” vulosi ekspozitën e Shkupit në Kalamaria” dhe se anëtarët e tij nuk pranojnë asnjë kompromis për “karakterin grek të Maqedonisë”. Në hyrje të galerisë, personat e maskuar kanë ngjitur postera, me mbishkrim se ndalohet reklamimi apo dhënia e hapësirave publike me para nga qytetarët grekë për organizata apo persona, si Sergej Andreevski, të cilët minojnë historinë greke. Ministria për Punë të Jashtme bën thirrje deri te ambasadorja greke, Sofia Filipidu, që të ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e rastit.
“Ndonëse nuk kanë demonstruar dhunë fizike apo dëme materiale, për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve verbale është thirrur policia dhe është informuar plotësisht për ngjarjen. Për incidentin janë njoftuar “Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik dhe Ambasada në Athinë, të cilat menjëherë i kanë kontaktuar autoritetet kompetente të Greqisë, ndërsa për incidentin është njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme greke.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ-ja.
Pas incidentit të shkaktuar nga anëtarët e gurpit “Agimi i artë”, zëdhënësi i qeverisë greke, gjatë një brifingu me gazetarët, ka deklaruar se Greqia nuk do të tolerojë paligjshmëri dhe frikësim të qytetarëve dhe zero tolerancë për grupet paramilitare naziste.
SANIJE DURAKU
