Maqedoni

Këshilli Gjyqësor, anulohet seanca, nuk u votua për kryetar të ri

27.04.2023 15:31

Dy orë vonesë iu deshën Këshillit Gjyqësor të mblidhet për të anuluar më 2 maj seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor...

Dy orë vonesë iu deshën Këshillit Gjyqësor të mblidhet për të anuluar më 2 maj seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor. Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, i cili seancën e djeshme ishte në mesin e shtatë anëtarëve të Këshillit që shkarkoi kryetaren e deritanishme, Vesna Dameva, tha se do të presin që Këshilli të jetë në përbërje të plotë për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në pyetje të gazetarëve rreth procedurës për shkarkimin e Damevës, Ademi nuk deshi të përgjigjet, por adresoi se për çdo veprim të paligjshëm ka institucione që duhet të veprojnë. Refuzoi që ai personalisht të ketë ndikuar tek ndonjë anëtarë i Këshillit.
 
“Këtë e them me përgjegjësi, thoni nëse unë Selim Ademi, si nënkryetarë i Këshillit gjyqësor u kam bërë presion apo në ndonjë mënyrë tjetër. Nuk dua tani të debatojmë, nëse ishte ligjore apo jo ligjore, për këtë gjë dje diskutuam 5 orë.”, - deklaroi nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
 
As sot nuk munguan akuzat nga kryetarja, tani më e shkarkuar, Vesna Dameva, se procedura për shkarkimin e saj ka qenë me ndikim dhe në mënyrë kundërligjore.
 
“Prisja se do të keni shumicë për t’u votuar tani, do të presim edhe 2 ditë, të shohim nëse shkarkimi i juaj joligjorë pa zbatimin e çfarëdo lloji procedure më tej në një farë mënyrë do të legalizohet. Duhej të na mbroni ju, si zëvendëskryetar, përgjegjës dhe udhëheqës i kësaj seance, të na mbroni nga të gjitha "ndoshta" ndikimet, presionet, kërcënimet etj. Qëndrimi i çdo anëtari të Këshillit është se nëse nuk kanë ndërtuar apo definuar qëndrim tani, atëherë them se ne nuk jemi në nivelin e detyrës  të jemi pjesë e këtij trupi gjyqësor.”, - theksoi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
 
Nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” vlerësojnë se shkarkimi i Vesna Damevës nga pozita e kryetarit të Këshillit Gjyqësor është realizuar në mënyrë të paligjshme. 
 
“Gjatë ditës së djeshme e ndoqëm seancën dhe janë konstatuar një sërë parregullsish ,veprime që janë në kundërshtim me ligjin. Procedurë për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësorë në ligj nuk është e paraparë dhe për këtë arsye ishte e çuditshme se si arriti Këshilli Gjyqësor të shkarkojë kryetaren. Që të shkarkohet anëtarë i Këshillit Gjyqësor, paraprakisht duhet të ketë procedurë disiplinore dhe të zbatohet në bazë të ligjit, ndërsa kur shkarkohet si anëtarë i Këshillit Gjyqësor, vendimi merret me shumicë votash, gjegjësisht 8 vota "për". Iniciatori për shkarkimin e anëtarit të Këshillit nuk mund të votojë për shkarkim.”, - u shpreh Ana Petrovska nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë".
 
Lidhur me situatën e krijuar në Këshillin Gjyqësor, kanë reaguar edhe nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Në kumtesë për media sqarojnë se Ligji ndalon ndikim gjatë zgjedhjes dhe shkarkimit në vende udhëheqëse. Ata rikujtuan anëtarët e Këshillit Gjyqësor se ata si organ më i lartë i pushtetit gjyqësor duhet të angazhohen për respektimin e parimit të sundimit të së drejtës dhe të sigurojnë pavarësi të pushtetit gjyqësor. Nga Antikorrupsioni presin që për këtë situatë të reagojnë të gjitha subjektet relevante shtetërore.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI