Botë
Xi bisedon me Zelenskyn, Kina do të dërgojë përfaqësues special në Ukrainë
27.04.2023 17:01
Dialogu dhe negociatat janë e "vetmja rrugë e mundshme përpara", pasi nuk ka fitues në luftërat bërthamore...

Dialogu dhe negociatat janë e "vetmja rrugë e mundshme përpara", pasi nuk ka fitues në luftërat bërthamore, thotë Ministria e Jashtme kineze pas bisedës telefonike mes presidentit kinez Xi dhe atij ukrainas Zelensky. Derisa po zhvillohen beteja të ashpra në frontin Bakhmut dhe granatimeve ruse në Mykolaiv, Pekini ka njoftuar se dëshiron të ndërmjetësojë dhe lehtësojë bisedimet e paqes.
“Kina do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm të qeverisë kineze për çështjet euroaziatike në Ukrainë dhe vende të tjera për të pasur një komunikim të thellë me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Ka një mundësi për t'i dhënë energji të re marrëdhënieve mes Kievit dhe Pekinit, tha presidenti ukrainas, Zelensky, pas bisedës telefonike me liderin kinez, Xi Jinping.
“Një pjesë e rëndësishme e bisedës ishin pikëpamjet tona për kthimin e një paqeje të drejtë. Unë paraqita formulën e paqes në Ukrainë dhe pikat e saj specifike. Ne ramë dakord të vazhdojmë komunikimin.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Uashingtoni dhe Brukseli i mirëpritën bisedimet. Është e rëndësishme që Kina të kuptojë më mirë qëndrimin e Ukrainës, duke vënë në dukje se Pekini ende nuk e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.
“Çdo shans për negociata kërkon që Ukraina të ketë ndihmën ushtarake që i nevojitet për t'i dërguar një mesazh presidentit rus Putin, se nuk do të fitojë në fushën e betejës. Zgjidhja mund të gjendet në tryezën e bisedimeve, por ajo që po ndodh në front është e rëndësishme.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ky është pritur, është një lajm shumë i mirë. Çdo iniciativë kuptimplotë për një Ukrainë të drejtë dhe paqësore është shumë e mirëpritur. Populli ukrainas, i prekur nga lufta, është ai që dëshiron më shumë paqen.”, - deklaroi kreu i politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Josep Borrell.
Kremlini thotë se ata janë të gatshëm për çdo gjë që mund të përshpejtojë përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe arritjen e qëllimeve ruse.
“Ne jemi të gatshëm të mirëpresim çdo gjë që mund të përshpejtojë përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe arritjen e qëllimeve të Rusisë. Sa i përket vetë faktit të komunikimit, kjo është një çështje sovrane e secilit prej këtyre vendeve dhe çështjet e dialogut të tyre dypalësh.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ndërkohë, “Yahoo News” ka marrë dokumente të klasifikuara nga Kremlini që zbulojnë planet e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në shtetet baltike dhe synimin e Moskës për të parandaluar ndërtimin e bazave ushtarake të NATO-s, për të dobësuar qeveritë lokale demokratike dhe për të forcuar organizatat politike pro Kremlinit.
REJHANE METAJ
