Maqedoni
Ekonomi, samiti “Maqedonia 2025” përmbyll punimet
27.04.2023 17:23
Jetojmë në një kohë të krizës ekonomike, pasigurisë dhe paparashikueshmërisë....

Jetojmë në një kohë të krizës ekonomike, pasigurisë dhe paparashikueshmërisë. Andaj, bashkëpunimi, shkëmbimi i njohurive dhe përvojave, kreativiteti janë gjëra të patjetërsueshme për të pasur zhvillim apo rritje ekonomike. Samiti “Maqedonia 2025” është një event që ofron të gjitha këto mundësi në një vend, tha presidenti, Stevo Pendarovski, gjatë fjalimit përmbyllës të samitit “Maqedonia 2025”. Pendarovski pret që diskutimet në këtë samit të shndërrohen në projekte konkrete.
“Efektet e punës suaj nuk mundet që të ndjehen në mënyrë instante dhe të vlerësohen në afat të shkurtër. Ato janë afatgjate dhe të ndërlidhura me një sërë faktorësh. Pres që analizat dhe evoulimi i projektit dhe programeve të jenë tregues konkret për rezultatet e arritura dhe gjithsesi për projeksionet për të ardhmen.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Samiti tregoi se sukseset më të mëdha globale arrihen në saje të prioriteteve të caktuara, por edhe në sajë të inovacioneve, thotë drejtoresha ekzekutive e “Maqedonia 2025”. Sipas saj, transformimi digjital është e ardhmja e bizneseve.
“Kompanitë dhe shtetet e suksesshme kanë ngjashmëri të mëdha, strategji të qartë, implementim të shkëlqyeshëm, menaxhim efektiv dhe shfrytëzim i mundësive. Çdo ditë e më shumë brende lokale të Evropës Juglindore shndërrohen në globale përmes inovacioneve, digjitalizimit dhe përparimit të vazhdueshëm. Digjitalizimi është vetëm fillimi. Transformimi digjital nuk është më zgjedhje, ai është i patjetërsueshëm për kompanitë që të mbeten relevante dhe të përparojnë në këtë epokë digjitale.”, - theksoi drejtoresha ekzekutive e “Maqedonia 2025”, Nikica Mojsoska Bllazhevska.
Rreth 40 folës në këtë samit ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre me audiencën. Përveç temave të digjitalizimit dhe transformimit në drejtim të krijimit të shoqërive të begata, në samit u diskutuan tema rajonale dhe globale.
BELINDA KOKA ADEMI
