Transparenca buxhetore e komunave në nivel të ulët
Komunat janë shumë pak transparente për sa i përket shpenzimit të parave buxhetore...

Shumë pak komuna kanë ueb faqe, ndërsa ato komuna që kanë, fare pak praktikojnë t’i publikojnë dokumentet me karakter publik në internet.
Këto janë rezultatet nga monitorimi tremujor i komunave të Butelit, Haraçinës, Gazi Babës, Studeniçanit, Sopishtës dhe Sarajit të bëra nga instituti ZIP dhe Qendra për Analiza Ekonomike. Sipas tyre, transparenca buxhetore në këto gjashtë komuna është në nivel të ulët dhe arsyeja, sipas tyre, mund të jetë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e të punësuarve apo interesimi i vogël i qytetareve për t’u njoftuar me këtë lloj dokumentesh publike.
“Ka komuna të cilat kanë mungesë të theksuar me publikimin e të dhënave dhe dokumenteve, që duhet të jenë realisht publike. Ka komuna, edhe pse kanë ueb faqe në dispozicion, ato shumë pak i azhurnojnë informacionet që kanë të bëjnë me procesin e buxhetimit. Fakti që ka komuna tjera që kanë perforamanca më të mira për sa i përket transparencës buxhetore, japin një pasqyrë se këta komuna, që më pak janë transparente, mund të marrin shembuj dhe të përmirësohen”- deklaroi Agim Selami nga Instituti ZIP.
“Justifikimi i komunave nga njëra anë qëndron në faktin se ato nuk janë mjaft të informuara për transparencën buxhetore të cilën duhet ta bëjnë. Një pjesë tjetër thonë se kanë mungesë të theksuar të të punësuarve për publikimin e dokumenteve publike në ueb faqe, ndërsa të tjerët thonë se qytetarët nuk kanë interes për dokumentet publike”- tha Vesna Andonova nga Qendra e Analizave Ekonomike.
Qëllimi i monitorimit të komunave është që të ngrit vetëdijen e përfaqësuesve të komunave se duhet të kenë transparencë buxhetore gjatë punës së tyre dhe të mësohen qytetarët të kërkojnë informacione dhe transparencë buxhetore nga kompetentët lokal.
Një nga zgjidhjet më të mira për të ngritur nivelin e transparencës buxhetore si në komunat evropiane është që të krijohet një formë e veçantë e publikimit të transparencës buxhetore në një gjuhe të thjesht, të kuptueshme për të gjithë qytetarët. (Rexhep Qamili, TVM2)
