Maqedoni
Rreth 11.612 punëtorë nuk morën rroga në mars, zyrtarët këto muaj presin rrogat me 70% rritje
28.04.2023 15:25
11.612 punëtorë kanë mbetur pa pagë në mars, kurse një pjesë e madhe e pronarëve...

11.612 punëtorë kanë mbetur pa pagë në mars, kurse një pjesë e madhe e pronarëve të tyre nuk kanë paguar rrogat e tyre as për shkurt, thonë nga DAP. Pas kontrolleve të kryera në rreth 70 mijë kompani, inspektorët kanë konstatuar se 5.716 punëdhënës nuk kanë dorëzuar raport pagash M-PIN.
“Në muajin mars janë regjistruar 69,156 punëdhënës me 555,161 të punësuar. Prej tyre 56.073 kanë paguar rrogat, ndërsa 5.716 punëdhënës për 11.612 punëtorë nuk kanë lëshuar paga për muajin e tretë të vitit.”, tha Llukarevska.
Nga ana tjetër krerët e shtetit, të Kuvendit dhe të Qeverisë po presin të marrin pagat me rritje për rreth 70 mijë denarë. Pagat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit do të rriten për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë. Ligji për pagat e zyrtarëve parasheh që bazë të jetë paga mesatare e vitit paraprak, por për vite me radhë është ngrirë në nivel më të ulët. Më 21 mars, gjykata vendosi të heqë ngrirjen, pas së cilës pagat do të rriten ndjeshëm. Paga më të larta nga funksionarët kanë kryetari i shtetit, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri.
Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë. Pas pagave të zyrtarëve më të lartë, sipas ligjit, me paga pasojnë kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe nënkryetarët e Kuvendit, të cilët kanë koeficientin 4 dhe tani do të marrin pagë rreth 140 mijë denarë nga 80 mijë duke supozuar se kanë 30 vjet stazh.
Deputetët, ministrat, guvernatori i Bankës Popullore, gjyqtarët kushtetues, kryetarja e komunës së Shkupit, avokati i popullit dhe sekretarët e Qeverisë dhe Kuvendit kanë koeficientin e llogaritjes së pagave 3.7. Paga e tyre do të rritet nga rreth 70 mijë në rreth 126 mijë denarë, duke supozuar se kanë 20 vite stazh pune. Përjashtim bën vetëm ministri i Punëve të Brendshme, i cili ka 20 për qind shtesë në pagë për kryerjen e detyrës, pra paga e tij është pothuajse e njëjtë me atë të kryeministrit.
ERSAN PAJAZITI
