Maqedoni

Shkarkimi i Damevës, Geer: Zhvillime, jo sipas pritshmërive të BE-së

28.04.2023 15:47

Euroambasadori, David Geer, duke komentuar ndodhitë e fundit në sistemin gjyqësor...

Euroambasadori, David Geer, duke komentuar ndodhitë e fundit në sistemin gjyqësor, përkatësisht shkarkimin e kryetares së Këshillit gjyqësor, vlerëson se zhvillimet e fundit nuk janë në drejtim të asaj që pret Bashkimi Evropian, me qëllim plotësimin e standardeve për eurointegrimin e vendit. Geer siguron se po ndjek nga afër ndodhitë që kanë të bëjnë me sundimin e drejtësisë. Reformat janë rruga e vetme për anëtarësim në BE.
 
“Respektimi i sundimit të së drejtës është çështje fundamentale dhe thelbësore në rrugës eurointegruese të vendit. Kjo përfshin zhvillim të pavarur dhe profesional të gjyqësorit dhe prokurorisë publike, që përfshinë standardet më të larta të integritetit të tyre. Muajve dhe javëve të fundit kemi parë ndodhi që nuk janë në drejtim të asaj që do të priste BE, në plotësimin e standardeve për rrugën eurointegruese të vendit tuaj. Nuk ekziston rrugë e shkurtër që do të sjellë zbatimin e reformave që kanë të bëjnë më sundimin e së drejtës. Kuptohet se ne presim që procesi i reformave të vazhdon në mënyrë të vendosur, kjo është rruga e vetme që ky vend mund të bëhet anëtare e BE-së dhe kjo është në interes të qytetarëve të këtij vendi.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV-së, David Geer.
 
Kovaçevski: Të paraqiten ndikimet nga jashtë
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se skena e fundit nuk i ngjanë organit më të lartë gjyqësor. Ai fton që nëse dikush ka pasur ndikime apo presione, ta paraqesë rastin.
 
“Unë që nga dita e parë që kam marr postin e kryetarit të Qeverisë, kam thënë se as unë e as ndonjë ministër nuk përzihet në punën e Këshillit Gjyqësor e as të Këshillit të Prokurorëve dhe kjo mund të konfirmohet përmes video incizimeve, ku të gjithë qytetarët mund të shihnin se çka ndodhi në Këshillin Gjyqësor. Ajo që mbetet është që organet gjyqësore ta kryejnë punën e tyre dhe të mos kenë kurrfarë ndikimi politik. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë takim me asnjë kryetar gjykate apo kryetar të Këshillit Gjyqësor, sepse gjykatat janë pushteti i pavarur. Nëse dikush është përzier në punën e tyre, atë ato vet duhet ta paraqesin në procedurë adekuate.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Mickovski: Shkarkimi i Damevës, proces që dëmton dhe turpëron Maqedoninë
 
Për kryetarin e opozitës më të madhe maqedonase në vend, Hristijan Mickovski, ndodhitë në Këshillin Gjyqësor janë rezultat i luftës për mbisundim mes klaneve partiake. 
 
“Nëse e komentoj procesin, ai me të vërtetë është një proces vandalizmi dhe vagabondizëm. Është një proces që jo vetëm që e turpëron Maqedoninë, por është proces që sjell dëm të përhershëm dhe pasoja në kuptimin që lëmë një përshtypje të keqe para partnerëve tanë ndërkombëtarë.”, - u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Ademi: Të vazhdohen përpjekjet për pavarësi gjyqësore
 
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, kërkon që në këtë periudhë të rëndësishme për shtetin, institucionet gjyqësore t’u përmbahen raporteve të KE-së dhe DASH-it.
 
“Inkurajojmë Këshillin Gjyqësor që ta kapërcejë situatën, në radhë të parë në interes të qytetarëve dhe në atë drejtim të vazhdojë përpjekjet për përgatitjen e Strategjisë së Reformës në Drejtësi, ndryshimet e nevojshme ligjore dhe zbatimin e standardeve evropiane, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, transparencën dhe rikthimin e besimit në publik.”,  thuhet mes tjerash në letrën e kryetares Ademi.
 
Kujtojmë se tensionet në Këshillin Gjyqësor erdhën si pasojë e shkarkimit të kryetares, Vesna Dameva, nga 7 anëtarët e Këshillit në krye me nënkryetarin e saj, Selim Ademi. Pikënisja e tensionit ishte letra e ambasadores së ShBA-ve, Aggeler, dhe kritikave drejtuar Këshillit Gjyqësor. Edhe pse për ditën e djeshme ishte e paraparë zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor, e njëjta u anulua për 2 maj në pritje që Këshilli të jetë në përbërje të plotë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI