Maqedoni

Ukrainë, forcat ruse sërish granatojnë Kievin

28.04.2023 17:37

Pas 51 ditësh përsëri forcat ruse e kanë sulmuar Kievin...

Pas 51 ditësh përsëri forcat ruse e kanë sulmuar Kievin. Ndërkohë njoftohet për civil të vranë si pasojë e goditjes së një ndërtese nëntëkatëshe në qytetin e Umanit, ku po ashtu 17 persona u plagosën. 
 
“Një nga raketat goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe. Në këtë godinë, praktikisht u shkatërrua hyrja e parë. Sipas të dhënave fillestare, në këtë hyrje jetonin 109 persona, janë 46 banesa, 27 prej të cilave janë shkatërruar plotësisht.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme i Ukrainës, Ihor Klymenko.
 
Shpërthime u regjistruan edhe në Kremençuk, Mykolaiv dhe Poltava, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se nga 23 raketat e lëshuara drejt Kievit, 21 u rrëzuan. Sulmi vjen, ndërsa forcat ukrainase përgatiten për një kundërofensivë pranverore duke përdorur armë të reja moderne të siguruara nga Perëndimi. Pjesa më e madhe e luftimeve po zhvillohen në lindje për kontrollin e Donbasit, veçanërisht pranë qytetit Bakhmut, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht.
 
Presidenti ukrainas Zelensky tha se Rusia po i afrohet dështimit. Ai theksoi se terrori rus do të duhet të marrë një përgjigje të drejtë nga Ukraina dhe bota. Ai vlerësoi rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për dëbimin rus të fëmijëve ukrainas. 
                                                                                          
“U miratua një rezolutë që pranon se dëbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia ka shenja gjenocidi. Kjo është njohja e parë e një fakti të tillë në nivel të një organizate kaq të lartë ndërkombëtare që bashkon shtetet e kontinentit tonë. Vendimi do të na ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme për të sjellë Rusinë dhe zyrtarët e saj para drejtësisë për gjenocid dhe politikë gjenocidale kundër Ukrainës.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që lejon dëbimin e banorëve të territoreve ukrainase të aneksuara paligjshëm, të cilët refuzojnë të marrin shtetësinë ruse. Dekreti, që u publikua në ueb-faqen zyrtare ruse për informacione ligjore, thotë se ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara ose duhet të bëhen shtetas rus ose zyrtarisht të refuzojnë shtetësinë. Sipas dekretit, këta banorë, “që shprehin dëshirën e tyre që të mbajnë shtetësinë ekzistuese apo të mbesin pa shtetësi” dhe nuk bëjnë betimin për marrjen e shtetësisë ruse, do të “konsiderohen të huaj” duke nisur nga 1 korriku i vitit 2024. Banorët e territoreve të aneksuara, që marrin statusin e shtetasve të huaj apo qytetarëve pa shtetësi dhe kërcënojnë “sigurinë kombëtare” të Rusisë, mund të jenë subjekt i dëbimit nga Rusia, thuhet në dekret.
 
BELINDA KOKA ADEMI