Maqedoni
Shkarkimi i Damevës, Geer: Zhvillime, jo sipas pritshmërive të BE-së
28.04.2023 18:00
“Ndodhitë e fundit në Këshillin Gjyqësor nuk janë në drejtim të përmbushjes së standardeve të BE-së.”...

“Ndodhitë e fundit në Këshillin Gjyqësor nuk janë në drejtim të përmbushjes së standardeve të BE-së.”, ky është komenti i ambasadorit evropian, David Geer, për grindjet publike në Këshillin Gjyqësor dhe shkarkimin e kryetares, Vesna Dameva. Ai thotë se sytë e BE-së janë drejt Maqedonisë së Veriut, sepse pikërisht sundimi i së drejtës është një prej principeve themelore evropiane.
Jo vetëm ndodhia e fundit, por as zhvillimet e muajve të fundit në gjyqësor, nuk janë në shërbim të eurointegrimeve, thotë Geer, për të shtuar se rrugë të shkurtër për reforma s’ka, ndërsa ato janë të patjetërsueshme.
“Muajve dhe javëve të fundit kemi parë ndodhi që nuk janë në drejtim të asaj që do të priste BE-ja, në plotësimin e standardeve për rrugën eurointegruese të vendit tuaj. Nuk ekziston rrugë e shkurtër që do të sjell zbatimin e reformave që kanë të bëjnë më sundimin e së drejtës. Kuptohet se ne presim që procesi i reformave të vazhdojë në mënyrë të vendosur, kjo është rruga e vetme që ky vend mund të bëhet anëtare e BE-së dhe kjo është në interes të qytetarëve të këtij vendi.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.
Shkarkimi i Damevës, Ambasada amerikane, apel për gjyqësor të pavarur
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sërish ripërsëritën nevojën për gjyqësor të pavarur në RMV.
“Ambasada e ShBA-ve shpreson të sheh gjyqësor të pavarur dhe përgjegjës, pavarësisht kush janë krerët e tyre. Kjo është thelbësore për ndërtimin e besimit në institucionet e gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut.”, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut.
Për shkarkimin e Damevës kanë reaguar edhe nga Shoqata e gjykatësve nga e cila vlerësojnë se duhet shqyrtuar të gjitha informacionet relevante përfshi dhe faktet, që të prononcohet për zhvillimet brenda Këshillit Gjyqësor.
SANIJE DURAKU
