Maqedoni

Milloshovski i reagon Xhaferit, deputetët ta marrin marrëveshjen për korridoret

28.04.2023 18:22

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, ka deklaruar se deklarata e një dite më parë e kryetarit të Kuvendit...

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, ka deklaruar se deklarata e një dite më parë e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi se marrëveshja e nënshkruar në mes Qeverisë dhe “Bechtel dhe Enka” vetëm do t’u prezantohet deputetëve, të cilët kanë certifikatë të sigurisë, dhe nuk do të marrin kopje të marrëveshjes, është në kundërshtim me ligjin.
 
Sipas tij, deputetët të cilat kanë certifikatë të sigurisë, duhet të kenë qasje deri tek të gjitha dokumentet e klasifikuara apo që janë karakterizuar si fshehtësi shtetërore. Sipas tij, Talat Xhaferi nuk po mbron interesat e Kuvendit, përkatësisht të insistojë deputetët ta kenë marrëveshjen dhe të shihen se ku po harxhohen 2 miliardë euro nga buxheti, por po mbron interesat e Qeverisë.  
 
“Sipas kushtetutës dhe në bazë të ligjit për informacione të klasifikuara, deputetët të cilët posedojnë këtë certifikatë të sigurisë, kanë të drejtë të kenë qasje deri tek çdo dokument që llogaritet si sekret shtetëror, por jo disa ministra vetëm të vijnë dhe t’i lexojnë pjesë të kësaj marrëveshje. Këtë marrëveshje duhet ta kemi në duar, ta analizojmë dhe të shohim se cilat janë klauzolat e këqija ose të mira për buxhetin e vendit.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski. 
 
Sipas Milloshovskit fshehja e kësaj marrëveshjeje është indikacioni më i fuqishëm, se atë të cilën e kanë pranuar Dimitar Kovaçevski dhe Artan Grubi, ka indikacione të fuqishme se ka krim dhe korrupsion.
 
Sipas Milloshovskit deputetët nuk mund të reagojnë ose të intervenojnë në një marrëveshje që nuk e kanë në duar. Sipas VMRO-DPMNE-së, në Kuvend po bëhet diskriminim i theksuar, sepse qasje në këtë marrëveshje kanë vetëm 8 deputetë të BDI-së dhe 2 të LSDM-së.
 
FITIM KRYEZIU