Botë
Mitrovica e Veriut, asamblistët kërkojnë hapjen e urës mbi Ibër
28.04.2023 18:44
Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë miratuar kërkesën për hapjen...

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër.
Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës. Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq.
Ai votoi kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër. Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë prononcuar për këtë vendim të autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, Lista Serbe e ka dënuar vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut dhe e konsideroi atë si “si të paligjshëm”. Nga kjo parti theksuan se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.
Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”. Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.
Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe, që më pas u nda në dy komuna të veçanta.
