Sot filloi afati i dytë i testimit ekstern

16.02.2015 15:43

Sot filloi afati i dytë i testimit ekstern nëpër shkollat e mesme për nxënësit që nuk e kanë realizuar të njëjtin gjatë afatit të parë...

TVM2 vizitoi Gjimnazin “Zef Lush Marku”, në të cilin sot u mbajt testimi ekstern për nxënësit që për arsye objektive kanë munguar në afatin e parë.

“Testimi ekstern në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, prej sot filloi afati i dytë dhe do të jetë katër ditë, për arsye se në afatin e parë kemi pasur afër 95% të nxënësve që kanë hyrë në testimin ekstern, por mbetën disa nxënës të cilët kanë pasur arsye që munguan ditën kur u mbajt testimi ekstern dhe sot e shfrytëzuan afatin e dytë që hyjnë në testimin ekstern”- deklaroi ndihmësdrejtori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Abil Baush.

Nga Qendra Shtetërore për Testim informuan se procesi i testimit ekstern po zhvillohet në procedura të rregullta dhe nuk janë identifikuar probleme teknike.

“Testimi ekstern sot zhvillohet në procedura normale, domethënë gjithandej ku afati i parë dështoi për shkak të mosprezencës së nxënësve. Me qenë se sot ka filluar testimi të zhvillohet në të gjitha krahinat ku nuk u testuan nxënësit, mendoj se me këtë ritëm do të zhvillohet edhe gjatë 3 ditëve të ardhshme, domethënë do të arrijnë që të testohen ai 20 % i nxënësve që mbetën pa u testuar në afatin e parë të testimit ekstern”- tha drejtoresha e Qendrës Shtetërore për Testim, Mirushe Ameti.

Testimet  do të zbatohen në pajtim me oraret e publikuara në faqen e internetit: prasanjaeksterno.dic.edu.mk, ndërsa rezultatet do të publikohen më 23 shkurt.(Ersan Pajaziti, TVM2)