Turqi, protesta kundër vrasjes së një vajze
Mijëra gra në Turqi kanë protestuar kundër vrasjes së një vajze të re, e cila i ka rezistuar përpjekjes së një shoferi të autobusit për ta përdhunuar...

Policia ka gjetur trupin e djegur të Ozgecan Aslan, 20 vjeçe, në një shtrat të lumit në qytetin Mersin, të premten. Policia ka arrestuar tre persona në lidhje me vdekjen e saj–shoferin e autobusit, babanë e tij dhe një mik të tyre. Presidenti dhe kryeministri i Turqisë familjes së vajzës i kanë shprehur ngushëllime.
Aslan, studente e psikologjisë, është rrëmbyer të premten derisa ka qenë duke u kthyer në shtëpi. Shoferi thuhet se ka bërë përpjekje për ta përdhunuar, por ajo e ka sulmuar me një sprej. Më pas, Aslan është therur për vdekje dhe është goditur me një mjet të hekurt në kokë.
Brutaliteti i vrasjes ka shkaktuar zemërim në të gjithë Turqinë. Mijëra gra kanë protestuar në disa qytete të shtunën, përfshirë Ankaranë, Stambollin dhe Mersinin.
