Komuna e Tetovës miraton themelimin e 3 nënstacioneve të zjarrfikësve në komunat rurale

30.04.2023 12:48

Këshilli i komunës së Tetovës...

Këshilli i komunës së Tetovës e ka miratuar studimin për themelimin e tre nënstacioneve të njësisë së zjarfikësve ne komunat rurale dhe atë pritet që të themelohen nënstacione të zjarrfikesve në komunën e Tearcës, ku do të përfshihet edhe komuna e Jegunocit, ajo e Bogovinës bashkërisht me komunën e Bërvenicës dhe një nënstacion do të jetë në komunën e Zhelinës.

Kryetari  i këshillit të komunës së Tetovës, Besar Durmishi, është shprehur se një veprim i këtillë është ndërmarrë sepse ligji lejon krijimin e nënstacioneve të zjarrfikësve, dhe se komunat rurale marrin shërbimin nga Zjarrfiksit e Tetovës por nuk partecipojnë në këtë njësi.

Durmishi tha se pas themelimit komunat rurale do të duhet të kontribojnë në njësitë e zjarrfiksëve.

“Të punësuarit në njësinë e zjarrfikësve pagën e marrin një pjesë nga komuna e Tetovës një pjesë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, respektivisht nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa komunat rurale nuk participojnë në pagesën e këtyre të punësuarve por shërbimin e marrin. Realisht me këtë ndarje do të duhet të bisedojmë me komunat rurale që edhe ata të participojnë në pagën e këtyre të punësuarve.Me këtë hap që e kemi marrë do të bëjmë decentralizimin e njësisë së zjarfikësve dhe do të jemi sa më afër për dhënien e shërbimeve ndaj qytetarëve” – tha Kryetari i Këshillit Komunal – Tetovë, Besar Durmishi.

Edhe kryetarët e komunave mendojnë se disperzimi i njësisë së zjarrfikësve është nevoje urgjente dhe imediate.

Sipas kryetarit të komunës së Tearcës, Nuhi Neziri,  ligji aktual nuk lejon që të krijohet stacion i ri i zjarrfikësve pasi që komuna e Tetovës ka kompetenca për një territor deri në 25 kilometra. Prandaj në këtë drejtim edhe kërkohet zgjidhje e favorshme.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim edhe në qendrën rajonale të Pollogut. Bashkë të nëntë komunat, duke e ditur gjendjen momentale, gjendjen faktike të stacionit në Tetovë, i cili nuk arrinë të mbulojë gjithë hapësirën, pra flas për hapësirën Veri-Perendimore, pra në komunën tonë dhe komunën fqinje atë të Jegunocit. Realisht, këtë që e kemi e kërkuar, neve edhe kemi bërë kërkesë që ligjërisht të sqarohet, sepse kemi një përplasje ligjore, ku kufizimet e tilla nuk lejojnë që të formohet një stacion i ri ose e njejta të shpërndahet. Për këtë kërkojmë, sa lejon ligji por edhe vullneti i mirë për bashkëpunim ndërkomunal për të pasur një shërbim sa më të afërt ose të drejtpërdrejt veçanërisht për njësinë e zjarrfikësve deri tek qytetarët. Por, duhet që të definohet mirë edhe çështja e pagesës së pjesëtarëve të zjarrfikësve” – u shpreh Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.

 Njësia e zjarrfikësve të Tetovës, për momentin mbulon komunën e Tetovës edhe pesë komunat rurale. Me vendosjen e njësive të reja afër komunave rurale do të ishte një zgjedhje e problemit për ata banorë pasi për të arritur në pikën më të largët në Jazhincë, zjarrfikësit e Tetovës duhet të kalojnë mbi 30 kilometra, dhe kjo largesi në raste zjarri mund të jete edhe fatale.

Ndërsa shpeshëherë edhe qytetarët janë ankuar për vonesa të zjarrfikësve në këto zona. (Visar Sadiku, TVM2)