Ukrainë, ka hyrë në fuqi armëpushimi
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka urdhëruar forcat ushtarake që të ndalojnë luftimet në lindje të vendit, në përputhje me marrëveshjen e re për armëpushim...

Sipas kësaj marrëveshjeje, edhe Forcat e Ukrainës edhe separatistët pro-rusë është dashur të ndalojnë luftimet një minutë pas mesnatës së 15 shkurtit.
Pikë kryesore e shqetësimit mbetet zona përreth qytetit Debaltseve, ku ditëve të fundit ka pasur luftime të rënda midis forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.
“Forcat e armikut janë ende të përqendruara në Debalsteve dhe në qytetin Shirokino. Situata e përgjithshme në lindje të Ukrainës tregon shenja të stabilizimit”- ka thënë zëdhënësi i Ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko.
Marrëveshja për armëpushim është arritur të enjten në Minsk nga presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ai i Rusisë, Vladimir Putin, i Francës, Francois Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
