Deponia një problem afatgjatë në Strugë, Merko: Janë marrë masa për një zgjidhje rajonale

30.04.2023 15:58

Ka disa vite që Struga përballet me një problem ekologjik...

Ka disa vite që Struga përballet me një problem ekologjik, si pasojë e deponisë në hyrje të qytetit. Megjithëse deponitë e egra janë një problem për të gjithë territorin e Maqeodnisë, ekspertët e ekologjisë shpesh kanë alarmuar për pasojat e deponisë dhe kanë kërkuar një zgjidhje më të gjerë.

Ata thonë se mbeturinat e llojeve të ndryshme që hidhen në deponinë e Strugës, që ndotin ujin, tokën dhe ajrin, sjellin dëme të mëdha në aspektin ekologjik, që më pas ndikon edhe tek shëndeti i qytetarëve.

“Deponia na ka sjellë dëme të mëdhaja ne aspektin ekologjik, në gjitha aspektet e mundshme ekologjike, duke u nisur nga ajri, toka, uji e kështu me rradhë. Struga është qytet që noton në ujë dhe është shumë lehtë që këto mbeturina te rrjedhin në ujërat nëntokësorë dhe nëpërmjet ujërave të ndotin pjesët tjera të qytetit. Duke u nisur nga ajo e keni parasysh se me ujë vaditën edhe pemët, perimet dhe kur do të bëjmë një përmbledhje do të dalim ne përfundim se gjitha aspektet ekologjike i kemi te dëmtuara nga kjo deponi në qytetin e Strugës. Jemi deshmitarë të situatës alarmante, sepse është rritur numri i personave me probleme te frymëmarrjes, dhe alergji të ndryshme“ - tha Berat Sela  nga shoqata ekologjike “Natyra”.

Nga komuna e Strugës thonë se kanë kërkuar disa herë që të gjendet një zgjidhje duke u krijuar një deponi rajonale, ndërsa janë marrë hapat e parë për këtë. Ndërsa thonë se deponia momentalisht nuk shkakton dëm për shkak se mirëmbahet.

“Është paraparë deponi në Novac, sa kam info se janë siguruar edhe mjete. Ne si qendra planore po punojme në formimin e ndërmarrjes publike për menaxhimin dhe transportimin e mbeturinave. Po bëjmë presion që këto gjëra të kryhen sa më shpejtë. Po krijohet mundësi që të dislokohet një deponi e krijuar në afërsi të qytetit. Për të gjithë ato që thonë se deponia e ndot ambientin, unë jam kundër, se kemi bërë matje, dhe e dime si është situata sepse mirëmbahet çdo ditë, çdo mbeturinë është e trajtuar, e mbuluar, nuk është në mëshirë të kohës. Helm dhe ndotje është nëse mbeturina digjen, por ju them se me përgjegjësi më të madhe po mundohemi maksmalisht që mbeturinat të trajtohen në mënyrë adekuate” – deklaroi Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Shoqatat ekologjike në Strugë bëjnë thirrje që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë, e deponia të largohet nga hyrja e qytetit. (Ilmije Zhaku, TVM2)