Ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë takojnë liderët shqiptarë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë në një takim të përbashkët ambasadorin e Finlandës, Timo Rajakangas, dhe ambasadorin e Suedisë, Mats Stafanson, dhe zonjën, Asa Pehrson, përfaqësuese e Suedisë në Bruksel...
Sipas një njoftimi me shkrim nga BDI, gjatë takimit është biseduar për zhvillimet e fundit në Maqedoni në lidhje me aferën e përgjimeve masive, marrëdhëniet ndëretnike, çështjen e emrit dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
Brukseli duhet të angazhohet drejtpërdrejt në menaxhimin e situatës së ndërlikuar në vend nëpërmjet të angazhimit të një ekipi që do të vijojë dialogun politik në mes të partive politike, si dhe menaxhimin e procesit të zbardhjes së aferës së përgjimeve.
Sipas njoftimit me shkrim, ambasadorët janë interesuar gjithashtu edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa është diskutuar edhe kontesti me emrin që Maqedonia e ka me fqinjin jugor, Greqinë.
Zhvillimet e fundit politike në vend kanë qenë edhe në fokusin e bisedimeve midis ambasadorëve në fjalë edhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit.
Sipas njoftimit të kësaj partie, Thaçi ka nënvizuar rëndësinë e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, që nënkupton edhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Integrimi në strukturat euroatlantike do të sigurojë stabilitet dhe zhvillim ekonomik të vendit dhe rajonit, ka theksuar Menduh Thaçi, thuhet në njoftim.
