Botë
Bruksel, takohen të martën Kurti-Vuçiq
01.05.2023 12:18
Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër...
Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, ku njëra nga pikat e diskutimit do të jetë draft statuti i Asociacionit.
Në takim pritet të diskutohet për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e të pagjeturve, kanë bërë të ditur nga Komisioni Evropian. Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të këtij asociacioni që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë, tashmë ka filluar punën në hartimin e statutit që pritet të paraqitet në tryezën e bisedimeve. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit. Konjufca tha se Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga njerëz të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë. Ai tha se Kosova nuk do të pranojë asgjë nga ky ekip që është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
