Botë
OKB-ja akuzon Rusinë, po shkelen të drejtat e njeriut në Ukrainë
01.05.2023 12:43
Një delegacion rus i nivelit të lartë, i përbërë nga 36 ekspertë ligjorë nuk ka arritur të bindë një komision mbikëqyrës të OKB-së...

Një delegacion rus i nivelit të lartë, i përbërë nga 36 ekspertë ligjorë nuk ka arritur të bindë një komision mbikëqyrës të OKB-së se qeveria ruse ka respektuar Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor.
Komisioni, i cili monitoron zbatimin e konventës nga shtetet anëtare, shprehu shqetësim të thellë për “shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera gjatë konfliktit të armatosur (në Ukrainë) nga forcat ushtarake të Federatës Ruse dhe grupet private ushtarake kundër atyre të që janë të mbrojtur prej konventës, veçanërisht qytetarëve ukrainas”.
Komisioni ka marrë njoftime për shkelje dhe abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë “raste dhe praktika të përdorimit të tepruar të forcës, vrasjeve, torturës, përdhunimit dhe formave të ndryshme të dhunës seksuale”, që pretendohet se janë kryer nga shteti rus. Në 17 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus, Vladimir Putin dhe për Maria Lvova-Belovan, komisionere e Zyrës së Presidentit rus për të Drejtat e Fëmijëve, për përfshirjen e tyre në deportimin e fëmijëve nga territoret e pushtuara në Ukrainë.
Anëtarët e komisionit i bënë thirrje Federatës Ruse që të kryejë hetime të paanshme për të gjitha rastet e raportuara të abuzimit të të drejtave të njeriut të përmendura në raportin e tij. Ata po kërkojnë gjithashtu t’i jepet fund praktikës së mobilizimit të detyruar ushtarake të anëtarëve të komunitetit tatar të Krimesë. Rusia nuk ka komentuar ende raportin.
