Botë

Të martën mbahet takimi Kosovë-Serbi, Kurti: S’do të lejojmë krijimin e një “Republike Sërpska”

01.05.2023 13:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e radhës në Bruksel të martën në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Diplomatët perëndimor presin nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që gjatë takimit të dy majit të arrijnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të lejojë krijimin e një forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës. Kurti, i cili ndodhej në forumin ekonomik në qytetin grek të Delphi, tha se ende nuk e ka parë draftin për krijimin e Asociacionit. 
 
“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma prezantonin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve, por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Sërpska në BeH.”, – ka theksuar Kurti.
 
Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës miratoi dje një kërkesë që të hapet për lëvizjen e lirë të makinave ura kryesore mbi lumin Ibër, që shënonte edhe vijën ndarëse të Mitrovicës. Ura kryesore mbi lumin Ibër, që nga paslufta ka ndarë Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe të veriut të banuar me serbë, ndërsa hapja e saj ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që nuk ishte zbatuar deri më tani. 
 
FLUTURA LATIFI