Maqedoni

Kreu i shtetit uron 1 Majin, Kovaçevski: Dialogu social dha rezultat

01.05.2023 14:17

Festa e 1 Majit nuk ka kaluar pa urimet dhe mesazhet e kreut shtetëror....

Festa e 1 Majit nuk ka kaluar pa urimet dhe mesazhet e kreut shtetëror. Kryeministri i vendit,  Dimitar Kovaçevski, me këtë rast ka shprehur respekt për të gjithë punëtorët që japin stimul për zhvillimin e shtetit, e që si rrjedhojë, investitorët e huaj kanë fituar imazh të një shteti stabil me kushte për avancim.  Do të vazhdojë tempoja e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës në kuadër të projekteve të mëdha shtetërore, ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10-D dhe  zhvillimit të zonave të tjera industriale, ka theksuar i pari i ekzekutivit.
 
“Zgjidhjet sistematike që i arritëm përmes dialogut social, dhanë rezultat dhe përforcuan partneritetin edhe me sindikatat edhe me palët e përfshira. Pikërisht për këtë arsye, sot, paga minimale është mbi 20.000 denarë, që është rritje për 100% në krahasim me vitin 2016. Para kohe realizuam premtimin për pagë mesatare mbi 500 euro dhe i rritëm pagat në arsim, shëndetësi dhe në siguri.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Pendarovski: Me rininë këtu, ecim përpara
 
Shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, veç mirënjohjes për punëtorët dhe për ata që luftojnë për të siguruar kushte të mira pune, ka theksuar edhe nevojën e plotësimit të parakushtit për progresin e shtetit, e që është mbajtja e të rinjve në vendlindje. Duhen  rishikuar vazhdimisht të drejtat e punëtorëve, të parandalohet  shfrytëzimi i tyre dhe të përmirësohet prosperiteti, ka shkruar Pendarovski.
 
“Detyra jonë është që t'u sigurojmë punëtorëve trajnim dhe arsimim të nevojshëm, trajtim korrekt nga punëdhënësit, ta thyejmë barrierën për përfshirje të personave me nevoja ndryshe në të gjitha vendet e punës. Të përkushtohemi për të ofruar mundësi për të gjithë, sepse çdo punëtorë meriton respekt dhe ka të drejtë për një jetë dinjitoze.”, -thekson kreu i shtetit.
 
Xhaferi: E drejta e punëtorit, në maje të politikës
 
Punëtori, të drejtat dhe mbrojtja e tij të mendohet për çdo ditë, potencon kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
“1 Maji nuk duhet të na kujtojë vetëm sot, por në të gjitha 365 ditët e vitit se ndërtimi i shoqërisë së barabartë, të qytetarëve të barabartë fillon me njeriun më të rëndomtë, prej vendeve më të vogla të punës deri te ato më të lartat. Të drejtat dhe obligimet e punëtorit, siguria, mbrojtja, respekti i tij doemos të jetë  në maje të prioriteteve për çdonjërin nga faktorët shoqëror.", - thuhet në mesazhin  e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU