Maqedoni-Serbi, mbledhje e përbashkët qeveritare

16.02.2015 16:46

E vlerësojmë punën që bëhet me reformat dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Maqedoni, theksoi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së dytë të qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë...

Dy kryeministrat, Vuçiq dhe Gruevski, u pajtuan se seanca e dytë është më e suksesshme se e para. 

“E respektojmë atë që po bëhet në Maqedoni. Ne mësojmë dhe e pranojmë të gjithë këtë që po bëhet në Maqedoni, ne nuk turpërohemi nga kjo, por jemi krenarë për këtë. Të gjithë njerëzit e mençur mësojnë nga ata të cilët mendojnë se mund të mësojnë diçka dhe ne shumë mësojmë nga kolegët tanë maqedonas. Shpresojmë se edhe ata ndonjëherë do të kenë mundësi të mësojnë diçka nga ne”- deklaroi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në sferën e ekonomisë është biseduar për projektet e realizuara në pjesën e energjetikës, siç është lidhja e largpërçuesit 400 kilovolt në Shtip, pastaj interkonekcioni i gazit nga Vranja deri në Kumanovë, por edhe lidhjet hekurudhore deri në Greqi dhe ndërtimi i Korridorit 10.

“Në takimet ministrore kishim mundësi të këmbejmë mendime për tema të ndryshme të cilat i tangojnë qytetarët e të dyja vendeve. Në kuadër të seancës së përbashkët, të gjithë ministrat e pranishëm kanë realizuar takime me kolegët e tyre nga Serbia, ku edhe janë adresuar edhe shumë iniciativa dhe propozime, me qëllim që këto sa më shpejtë të realizohen. Sot janë nënshkruar shtatë marrëveshje bilaterale, mes të cilave edhe marrëveshja për bashkëpunim ekonomik dhe turizëm”- tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Marrëveshjet e nënshkruara, sipas kryeministrit, Nikolla Gruevski, do të japin impuls të ri për të dyja vendet. Të dy kryeministrat u shprehen se ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen në të gjitha sferat. (Besim Abdullai, TVM2)