Maqedoni

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, sindikatat dalin në protestë, kërkojnë pagesa më të larta dhe kushte më të mira pune

01.05.2023 14:42

1 Maji është dita ndërkombëtare e punës. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin...

1 Maji është dita ndërkombëtare e punës. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë, u referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. Në Shkup, dy organizatat më të mëdha sindikaliste në vend mbajtën protesta të ndara.
 
Nën moton “Punëtorët janë shteti”, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë  së Veriut, protestën  e tyre në mesditë  e nisën para selisë së tyre, ndërsa e përfunduan para Qeverisë, me kërkesa për rritje dhe paga me dinjitet për punëtorët, orar të mirë pune si dhe respektim të marrëveshjeve kolektive.
 
“Vendosëm që ta shënojmë me protestë dhe t’i prezantojmë kërkesat tona të cilat kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të punëtorëve. Para se gjithash,  në sigurimin e kushteve të mira të punës, sigurimin e 40 orëve punë në javë dhe maksimalisht 8 orë punë shtesë në javë. Jo, sikurse u prezantua në Parlament. Të sigurojmë rrogën e 13-të, për të gjithë të punësuarit në vend. Të sigurojmë të rinjtë të mbesin në vend dhe mos të largohen. Kërkojmë që përfundimisht të miratohet Ligji për marrëdhëniet e punës, që tani më pesë vite po bredh nëpër labirintet e ndryshme dhe nuk po harmonizohet që të mund deputetët ta miratojnë.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSS, Zllatko Cvetkovski. 
 
Konfederata e Sindikatave të Lira nën moton “Për drejtësi, për barazi”, protestuan dy orë më parë, po ashtu cak përfundimtar kishin rrugën “Ilindenska”, para Qeverisë së  vendit.
 
“Po, për një rrogë dinjitoze. Po, për një punë dinjitoze. Po, për një jetë dinjitoze. Për këtë sot ne jemi këtu. Këtë sot nuk e kemi, prej nesër do ta kërkojmë shumë më të zëshëm dhe më zëshëm. Nën thonjëza, urime të gjithë atyre që pas tastaturës dinë të jenë shumë të guximshëm dhe të tregojnë se si duhet të kërkohen të drejtat e punëtorëve. Do t’i porosis, vazhdoni ashtu, të drejtat e atyre kurrë nuk do të arrijnë.”,- theksoi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkovski.
 
Protestat e 1 Majit të këtij viti kaluan në shenjë të kërkesës për respektimin e të drejtës për orar të mirë pune, e cila doli pas paralajmërimeve për një javë pune 60 orësh, si pjesë e paketës së ligjeve që janë në procedurë parlamentare. Ndërsa kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D. Qëndrimi i Qeverisë është se ndryshimet ligjore për orarin e punës  kanë të bëjnë vetëm për projektet e infrastrukturës dhe se për zgjatjen e orarit të punës do të kërkohet pëlqimi i punonjësit. 1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
 
SAFET ADEMI