Maqedoni
Pakoja e ligjeve “Bechtel dhe Enka”, VMRO: Manipulim dhe eksploatim i punëtorëve
01.05.2023 15:07
Marrëveshja e Qeverisë me konzorciumin “Bechtel dhe Enka” rikthen në qendër të vëmendjes për të drejtat e punëtorëve...

Marrëveshja e Qeverisë me konzorciumin “Bechtel dhe Enka” rikthen në qendër të vëmendjes për të drejtat e punëtorëve. Veçanërisht, vendosja e orarit javor të punës prej 60 orëve ka vënë në dyshim eksploatimin e punëtorëve, të cilët do të angazhohen. Opozita madje pretendon se numri i punëtorëve që do të kryejnë punimet do të jetë më i ulët në krahasim me punëtorët e angazhuar në Serbi në ndërtimin e autostradave.
“Me atë që Artan Grubi mahnitet nga Aleksandar Vuçiq dhe Serbia, nuk i jep të drejtën që të ndryshojë faktet, të manipulojë dhe gënjejë. E para Serbia nënshkroi tender për autostradë dhe mundësoi shpronësim të shpejtë, por jo dhe ndryshim të ligjeve në kundërshtim me kushtetutën, nuk barazon ndërtimet e ligjshme me ato të egra, nuk shkelet mbi lokaliteteve arkeologjike dhe jo me penale me mbi 100 milion euro.”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Grubi: Punëtorët do të angazhohen në formë legale
Zëvendëskryeministri, Artan Grubi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka sqaruar se angazhimi i punëtorëve vendas mund të arrijë në 70% duke respektuar të drejtat e tyre bazuar në ligje.
“Parashikimet fillestare, pas analizës së tregut, janë se edhe në vendin tonë do të angazhohet e gjithë forca e disponueshme punëtore, mundësisht të tejkalojë edhe 70%. Të gjitha të drejtat dhe obligimet e parapara me ligjin për marrëdhënie pune dhe ligjet tjera do të respektohen në përpikëri. VMRO dhe e Majta, me bllokadën e ligjeve në Kuvend, do t’i kushtojë shtetit mbi 150 milion euro dhe dy vite humbje kohe.”, ka shkruar Grubi.
Megjithatë, mosmiratimi i ligjeve që ndërlidhen me ndërtimin e autostradave 8 dhe 10-D do t’i kushtojnë vendin më shumë para dhe kohë. Partitë në pushtet kanë deklaruar se nuk heqin dorë nga projektet më të mëdha infrastrukturore. Sipas tyre akuzat e opozitës janë të pabaza dhe tendencioze, vetëm për faktin që korridori 8 kalon nëpër vendbanime të populluara kryesisht me shqiptarë, ndërsa marrëveshja është nënshkruar me një kompani amerikane.
MERAL ISMAILI
