Maqedoni

Deponia e egër në Tearcë, qytetarët kërkojnë zgjidhje, Komuna s’ka kapacitet ta zgjidh e vetme

01.05.2023 15:29

Deponitë e egra nëpër komunat rurale dhe urbane janë probleme të pazgjidhura ndër vite nga të gjithë udhëheqësit komunal....

Deponitë e egra nëpër komunat rurale dhe urbane janë probleme të pazgjidhura ndër vite nga të gjithë udhëheqësit komunal. Pjesa më e madhe e deponive të egra krijohen nga dora e qytetarëve. Por, deponinë më të madhe mes fshatit Dobrosht dhe Gllogjë të Komunës së Tearcës e kanë krijur institucionet shtetërore në vitin 2015-të, pas vërshimeve në Tetovës. Këta të fundit dhanë urdhër që prurjet e vërshimeve të hidhen mes këtyre dy fshatrave. Këtë mundësi e shfrytëzojnë qytetarët, të cilët hedhin mbeturina. Banorët e anketuar nga TVM2, thonë se qytetari është fajtori kryesor, por, sipas tyre, faj ka edhe komuna, por edhe institucionet e tjera ekologjike që me vite nuk arrijnë të zgjedhin këtë problem.
 
“Njerëzit nga xhamia dalin i marrin mbeturinat dhe dalin i hedhin atje, pastaj shkon falet, kujt i lutesh, Zotit?! Pastaj nuk bën komuna, nuk bën kjo, çka të bëjë komuna? Qytetarët, kush do e bëjë. Ju nuk keni ardhur nga jeni, as kryetari i komunës t’i hedhë mbeturinat. Pastaj thonë shteti, po kush është shteti, populli, është turp njerëz me fakultet, shkojnë hedhin.”, - u shpreh një banor. 
 
“Kjo deponi shumë na pengon, vijnë edhe nga fshatrat tjerë për rreth Komunës se Tearcës hedhin këtu. Komuna e Tearcës nuk merr masa, nuk do të dëgjojë, kurse partitë janë me veshë të shurdhur. Katër vite nuk interesohen aspak.”, - tha një banor. 
 
“Një mijë për qind na pengon, nuk ka lëvizje atje, për shkak të erës se keqe, nuk mund të lëvizësh nga era e keqe, na pengon shumë. Ato mbeturina janë nga qytetarët, nuk janë nga qielli, dy fshatra i sjellin aty, Dobroshti, Gllogja. Është mirë të pastrohet. Komuna nuk vjen, as nuk interesohet çka ndodhë.”, - theksoi një banor tjetër.
 
Nga Komuna e Tearcës thonë se bëjnë përpjekje, por e kanë të pamundur ta dislokojnë këtë deponi, shkaku i volumit të madh të mbeturinave dhe mbetjeve inerte, por edhe kostoja është shumë e lartë për një komunë rurale. Kryetari i Komunës së Tearcës, kërkon bashkëpunim mes institucioneve.
 
“Është një situatë shumë reale, që po ballafaqohemi dhe është një sfidë për të gjithë administratën komunale, për atë se si duhet të arrijmë te zgjedhja e mundshme e largimit ose mënjanimit të këtyre mbetjeve që në sasi më të madhe të volumit të grumbulluar në këtë, janë mbetje inerte, janë mbetje nga ndërtimet. Nuk janë vetëm në Gllogj, por edhe në vendbanime tjera, të cilat janë grumbulluar në vite në vazhdim. Pasi ne ndodhemi në zonën e mbrojtur për shkak të burimeve të Raçes, ne detyrohemi që këto mjete në mënyrë ligjore t’i largojmë jashtë territorit të komunës, gjë për të cilën rrit koston për të gjithë aktivitet që ngërthen rreth grumbullimit ose transportimit të këtyre burimeve inerte.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.
 
Edhe përkundër  premtimeve të shumta nga institucionet, deponia mes fshatrave Dobrosht dhe Gllogj vazhdon të ngelet problem serioz për banorët e kësaj pjese. 
 
VISAR SADIKU