Maqedoni

Të drejtat e punëtorit, mbrojtja dhe siguria, prioritet i qeverisë

01.05.2023 16:01

Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të punëtorit mbeten prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale...

Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të punëtorit mbeten prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Ministrja e këtij dikasteri, Jovanka Trençevska, ka numëruar benefitet në llogari të punëtorëve, sikurse rritja e pagës minimale në mbi 20 mijë denarë, uljen e papunësisë në 14.4%, por duke përmendur në mënyrë sipërfaqësore ligjin për marrëdhënie pune të bllokuar në Kuvend, i cili dyshohet për keqpërdorim të fuqisë punëtore në kuadër të projekteve infrastrukturore 8 dhe 10-D.   
 
“Për momentin po bëhet dialog intensiv social për një marrëveshje të re kolektive në sektorin civil, në fazën finale është ligji për marrëdhënie pune, ndërkaq punohet në një ligj të ri për siguri dhe shëndet gjatë punës. Po sjellim zgjidhje sistematike, nga të cilat përfitojnë qytetarët.”, është shprehur Trençevksa në uratën e Ditës Ndërkombëtarë të Punëtorit.
 
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi theksoi se qeveria vlerëson kontributin e punëtorëve për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.
 
“Siguruam që e diela të jetë ditë jo pune, kurse për ata që zgjedhin të punojnë është siguruar mëditje e dyfishtë. Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi një marrëdhënie partneriteti me sindikatat dhe jemi vazhdimisht në këmbë bashkë përpara sfidave të radhës, siç janë marrëveshja e përgjithshme kolektive, si dhe harmonizimi i pagave me rritjen e pagës minimale. Ne qëndrojmë me vendosmëri në rrugën për të mbështetur sistematikisht luftën për të drejtat e punëtorëve, nuk do të mbeteni kurrë të vetëm, do të keni gjithmonë një aleat në luftën për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e juaja.”, - theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. 
 
Gjatë Covid krizës, Qeveria ndihmoi të shpëtojë 250 mijë vende pune dhe mbështeti 35 mijë kompani. Sipas Bytyqit 1 Maji gjithmonë të shërbejë si shtytje reale e lëvizjes punëtore dhe thirrje për të vazhduar luftën për paga më të larta dhe kushte të sigurta pune.
 
MERAL ISMAILI