Papunësia sipas Entit Shtetëror të Statistikave, 126.398 qytetarë rezultojnë të papunësuar

01.05.2023 16:43

Enti Shtetëror i Statistikave...

Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënat për fuqinë punëtore për vitin 2021, nga regjistrimi i fundit, në bazë të të cilit gjatë tremujorit të parë rezulton se shkalla e papunësisë ka shkuar në rënie në çdo muaj, përkatësisht nga 15.8 në 15.0.

Sa i përket numrit të përgjithshëm të të punësuarve, Enti paraqet këto shifra:  nga gjithsej 822.349 persona të aftë për punë, 693.494 janë të punësuar aktiv, ndërsa të papunësuar rezultojnë 126.398 qytetarë.

Sa i përket popullsisë së moshës 15 vjeç e më tepër, sipas aktivitetit ekonomik dhe gjinisë, numri ka shkuar në rënie, duke filluar nga 822.349 në 814.544.

Tek kategoria e klasifikimit të të dhënave të Entit të Statistikave tek “Popullsia e aftë për punë sipas aktivitetit ekonomik, grupmoshave dhe gjinisë”, del se nga mosha 15 deri në 64, në muajin e parë të vitit 2021, gjinia mashkullore gjithsej aktiv në punë ka përfshinë numrin prej 727.477, ndërkaq në muajin e katërt tek kjo gjini ka pasur regres në 726.001. Ndërsa tek femrat, në janar, numri aktiv i tyre shënon 743.067, ndërkaq në muajin e katërt ka shënuar 742.306 femra aktive për punë.

Në muajin e parë të vitit 2021, nga grupmosha 15 deri në 64, numri i të papunësuarve shënon 129.0651 persona, prej tyre 7.826 i takon moshës nga 25-49, që njëherit paraqet kategorinë më të madhe të fuqisë aktive punëtore.

Fuqia punëtore është e matur si vijon: grupmosha prej 25-49 rezulton me 61.7%, pasuar nga mosha 50-64 me 28.8%, kurse mosha 15-24 jepet me 8%, duke përfunduar me moshën 65 e sipër me 1.4%.

Të punësuar sipas sektorëve të veprimtarive dhe nga lloji i pronësisë të subjekteve afariste, sipas tremujorëve 2021, del se në industrinë përpunuese kemi më shumë të punësuar, më saktësisht 124. 330, kurse në kategorinë e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër te kondicionuar del numri më i ulët i të punësuarve, gjegjësisht 5.339.

Popullsia aktive, sipas përgatitjes shkollore ndahet në bazë të këtyre kategorive, me arsim të mesëm kemi më shumë nëpunës, gjegjësisht 338.365, kurse numri më i vogël i të punësuarve me përgatitje profesionale më të lartë merr kategoria me arsim të lartë, 186.404 persona. (Fitore Demolli, TVM2)