Botë

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti-Vuçiq takohen në Bruksel

02.05.2023 12:00

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 
Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel. Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
 
Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur. Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai. Kurti, mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.