Maqedoni
Ministrja suedeze Rosval, në Shkup: Ka vullnet për zgjerim, shfrytëzoni momentin
02.05.2023 14:47
Procesi integrues, zhvillimet rajonale dhe raportet dypalëshe mes RMV-së dhe Suedisë...

Procesi integrues, zhvillimet rajonale dhe raportet dypalëshe mes RMV-së dhe Suedisë, në fokus të bisedimeve mes zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Bojan Mariçiq dhe ministres suedeze për BE, Xhesika Rozval. Në takim, kjo e fundit ka siguruar mbështetjen nordike mbi integrimin e vendit, por njëkohësisht ka nënvizuar obligimet që tangojnë vendin për të ecur përpara drejtë familjes evropiane.
“Suedia vazhdon ta përkrahë procesin integrues të Maqedonisë së Veriut përmes realizimit të qëllimeve të definuara në Strategjinë për bashkëpunim të reformave 2021-2027, por mbetet të implementohen detyrat dhe obligimet e shtëpisë në mënyrë të suksesshme, me kompromis të përbashkët për çështjet me perspektivë evropiane të vendit. Duhet të shfrytëzohet momentumi politik i zgjerimit të BE-së dhe njëherit të shfrytëzohet kjo kohë për të bërë një hap para drejt BE-së.”- ka thënë ministrja suedeze, Rozval.
Për zëvendëskryeministrin Mariçiq, Suedia është partneri kryesor në jetësimin e agjendës së reformave dhe njëherit edhe mbështetësja më e madhe financiare në këtë drejtim.
“Suedia është partneri ynë i vlefshëm, përkrahëse financiare në përpjekjet që çojnë drejt procesit eurointegrues. Përkrahjen e vazhdueshme që Suedia ia jep vendit tonë në procesin integrues, dëshmon rëndësinë e lidhjes dhe partneritetit mes dy vendeve.”, – ka thënë Mariçiq në takim.
Temat e njëjta politike të vendit janë shtjelluar edhe në takimin e ministres Rosval me shefin e shtetit Pendarovski. Ky i fundit duke falënderuar mbretërinë suedeze për ndihmën që ka dhënë për prosperimin e RMV-së, pret nga ky shtet vazhdimin e kontributit dhe ndihmës ndaj vendit tonë në këto dy muaj të rëndësishëm për shoqërinë tonë, derisa është akoma udhëheqëse me BE-në. Delegacioni i Qeverisë suedeze nga Shkupi vazhdon për në Tiranë ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë shtetëror.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
