Lufta 2001, nderohen dëshmorët, promovohet libri për Tanushën
Me manifestime të shumta u shënua sot 16 shkurti i vitit 2001, dita e fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe krismat e para të brigadave të UÇK-së në Karadak dhe Tanushën e Shkupit...
Ish-luftëtarë të UÇK-së, zyrtarë të institucioneve dhe banorë të fshatit Tanushë sot bënë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tanushë, në shenjë përkujtimi dhe nderimi në 14 vjetorin e rënies së dëshmorit të parë, Muzafer Xhaferit dhe dëshmorëve të tjerë të UÇK-së.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta kushtuar kësaj date historike të kombit shqiptar u bë edhe promovimi i librit, “Tanusha në rrjedhat e Historisë”, i autorit Feri Arifi.
Përveç përshkrimit panoramik të trevës, në këtë libër autori flet për ngjarje të tilla si “Beteja e Kaçanikut”, mbështetja e Luftës Çlirimtare të Kosovës, roli i tanushasve në formacionet ushtarake për çlirimin e Kosovës e lufta për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
“Në libër spikasin dy tipare të rëndësishme që tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe plotësojnë karakterin shkencor të veprës. I pari është vështrimi i saktë panoramik i trevës, ku evidentohen të dhëna të sakta për të gjitha resurset natyrore. I dyti dhe më i rëndësishëm është shtjellimi i gjerë i zhvillimeve historike, duke filluar që nga kohërat e hershme e deri në ditët tona”- deklaroi recensenti i librit, Ardian Limani.
“Kjo monografi i plotëson të gjitha kriteret shkencore, sepse e përfshin edhe aspektin historik, etnologjik, gjeografik që e bën që studiuesve të tjerë t’u hapë rrugën që më pastaj të shkruhet historia e shqiptarëve të Maqedonisë”- tha drejtori i ITKSH-së, Skender Hasani.
Vetë autori thotë se ky libër karakterizon ngjarjet dhe peripecitë e popullit shqiptar të këtyre trevave nga vitet e 80-ta.
“Hartimi i këtij libri ka një histori të gjatë që nga vitet e 80-ta të shekullit që e lamë pas. Fillova të bisedoj me njerëzit që ishin pjesëmarrës të ngjarjeve historike të asaj kohe dhe të marr shënime për zhvillimin e të gjitha periudhave në këto treva. Disa vite më vonë mu kristalizua ideja se këto biseda të personaliteteve të shumta të Tanushës, të cilat i kisha të shkruara, nga ato mund ta nxirrja një libër”- u shpreh autori i librit, Feri Arifi.
Më 16 shkurt 2001, Forcat Speciale maqedonase sulmuan fshatin Tanushë dhe në këtë betejë të ashpër ra dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Muzafer Xhaferi. Por, gjaku i tij dhe i dëshmorëve të tjerë shënoi edhe fillimin e epokës së re të historisë së shqiptarëve në këto troje në luftën e tyre për të qenë të barabartë me të gjithë të tjerët që ndajnë këtë nënqiell. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
