Maqedoni
Alternativa-Lëvizja “Besa”, bashkëpunim politik
02.05.2023 17:08
Partitë opozitare Lëvizja “Besa” dhe Alternativa, është e mundur që të kenë një bashkëpunim politik opozitar...

Partitë opozitare Lëvizja “Besa” dhe Alternativa, është e mundur që të kenë një bashkëpunim politik opozitar, njoftojnë burimet brenda partive. Sipas tyre, tani për tani bashkëpunimi do të jetë vetëm në Kuvend, mirëpo nuk përjashtohet mundësia për thellim të bashkëpunimit politik.
“Do të mblidhet Kryesia Qendrore e Alternativës dhe do të diskutojë për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit me Lëvizjen “Besa”. Kontaktet e para japin shpresë se bashkëpunimi i parë do të jetë në kuadër të Parlamentit.”, njoftojnë nga Alternativa.
Lëvizja “Besa” ka dalë publikisht dhe ka pranuar se po ndërton marrëdhënie me subjekte të ndryshme politike dhe shoqërore, me qëllim që të krijojnë një front të përbashkët opozitar në zgjedhjet parlamentare të ardhshme.
“Jemi të interesuar për unifikimin e qëndrimit politik opozitar të partive politike shqiptare dhe se jemi të gatshëm me çdo subjekt politik, shoqatë jo qeveritare dhe çdokush që është i interesuar që institucionet shtetërore mos t’i menaxhojë kjo garniturë e korruptuar në të ardhmen dhe se të bëhet një front i përbashkët që do ta ndjek diskursin euroatlantik.”, thonë nga Lëvizja “Besa”.
Liderët e partive opozitare nga blloku shqiptar “Besa” dhe Alternativa, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, kanë pasur një takim javën e kaluar, i cili sipas burimeve nga të dyja partitë, është një përpjekje fillestare për të “shkrirë akullin” mes dy partive në drejtimin e bashkëpunimit të mundshëm më serioz në të ardhmen.
SEDAT SELIMI
