Maqedoni
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, RMV në vendin e 38-të në indeksin botëror
03.05.2023 11:40
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e radhit Maqedoninë e Veriut në vendin e 38-të...

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e radhit Maqedoninë e Veriut në vendin e 38-të, ndërsa Mali i Zi në vendin e 39-të, janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë” ose të kënaqshme.
Sipas këtij indeksi, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende. Organizata “Reporterët pa kufi”, në treguesin botëror të lirisë së shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.
Nga 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë, derisa Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar. Serbia, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë me 12 vende në rajonin që përfshinë Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. Organizata “Reporterët pa kufi” shpreh shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës, luftën, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, kërcënimin nga përmbajtja e rreme dhe propaganda, që minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale.
Situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe “e mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende. Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.
