Obama uron Jahjagën për 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16.02.2015 17:54

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka uruar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të shtatë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës...

“Çdo vit vazhdoj të impresionohem me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Zgjedhjet historike parlamentare në qershor ia kanë dëshmuar botës përkushtimin e Kosovës për proceset demokratike në të gjithë vendin. Ju përgëzoj për lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën tuaj me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë”- thuhet në letrën e presidentit Obama.

Në letër theksohet mbështetja e Uashingtonit edhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. “Ne gjithashtu e vlerësojmë mbështetjen e vendit tuaj për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL-it dhe përkushtimin tuaj të fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, një nga prioritetet kryesore të administratës sime”- thuhet pos tjerash në letrën e presidentit Obama dërguar presidentes Jahjaga.