Maqedoni

Reforma zgjedhore, Aleksandar Novakovski, kryetar i Grupit Punues

03.05.2023 14:03

Aleksandar Novakovski, do të jetë kryetar i Grupit Punues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Aleksandar Novakovski, do të jetë kryetar i Grupit Punues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa takim i radhës është caktuar për 7 maj. Ky është epilogu i mbledhjes së parë konstitutive të këtij grupi punues, i cili prioritet do të ketë vërejtjet dhe rekomandimet e OSCE/ODHIR.
 
“Të fillojmë ashtu siç tha edhe ministri i drejtësisë me rekomandimet e OSCE/ODHIRI-it dhe pastaj do të punojmë ligjin e ri të Kodit Zgjedhor dhe këto ndryshime të implementohen në një periudhë prej 6 muajve para mbajtjes së zgjedhjeve.”, - deklaroi kryetari i Grupit Punues, Aleksandar Novakovski.
 
“Grupi i punës do të punojë paralelisht në dy procese, i pari është mbyllja me sukses i të gjitha atyre ndryshimeve që vijnë si pasojë e rekomandimeve dhe vërejtjeve të OSCE/ODHIR-it, ndërsa pjesë e dytë do të jetë hartimi i një kodi të ri zgjedhor.”, - theksoi ministri i drejtësisë, Krenar Lloga.
 
VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk ka deleguar përfaqësuesin e saj në këtë grup punues, pasi kërkon që fillimisht pushteti të dalë me propozim për një njësi zgjedhore, që më pas ata të përfshihen në këtë proces. Ministri Lloga edhe një herë e ftoi këtë parti të bëhet pjesë e grupit të punës. Ndërsa, nga BDI vlerësojnë se fillimisht duhet të krijohet një konsensus i gjerë për Kodin Zgjedhor. Ndërsa, nëse bisedohet për një njësi zgjedhore, atëherë kjo parti thotë se duhet të bisedohet edhe për pragun zgjedhor prej 5 për qind dhe listat e hapura.   
 
“Në radhë të parë na duhet konsensus ndëretnik, ndërpartiak, i cili do të pasqyrojë realitetin heterogjen të shoqërisë. Ne jemi të interesuar që mos t’u bëhet me hile shqiptarëve, në qoftë se flasim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të flasim edhe për prag zgjedhor, për shembull për 5 për qind, për lista të hapura.”, - u shpreh Arbër Ademi nga BDI.
 
Ky grup është i përbërë nga përfaqësues të subjekteve politike, por edhe institucioneve tjera dhe të shoqërisë civile. Të gjithë ishin njëzëri se për një Kod të ri Zgjedhor do të duhet të harmonizohen qëndrimet e partive politike, përmes një konsensusi të gjerë dhe u shprehën optimist që ky grup i punës mos të ketë fatin e Grupit të kaluar të formuar para zgjedhjeve lokale. 
 
FITIM KRYEZIU