Maqedoni
Marrëveshja “Bechtel&Enka”, Pendarovski: S’do ta nënshkruaj orarin prej 60 orë
03.05.2023 14:48
Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski s’do t’i nënshkruajë ndryshimet ligjore për marrëdhënie pune...

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski s’do t’i nënshkruajë ndryshimet ligjore për marrëdhënie pune nëse ato parashikojnë që punëtorët e korridorit 8 të punojnë 60 orë në javë, pasi sipas tij do të ishte antikushtetuese. Pendarovski thotë se vlerësimin për secilin nga tetë ligjet që kanë të bëjnë me dy korridoret e “Bechtel&Enka”-s do t’i thotë pas hapjes së debatit në kuvend, pasi pohon se as vetë ai nuk e ka parë marrëveshjen.
“Jo, nëse mbetet në atë formë, s’do ta nënshkruaj, pasi veç më ekziston vendim. Gjykata kushtetuese vitin e kaluar e shpalli si jo kushtetues, e shpalli si antikushtetues këtë dispozitë në një ligj tjetër. Nuk mund të përsërisim gabimet. Edhe po ta nënshkruaj, që s’do ta bëj nëse dispozita është e tillë, është e qartë që Gjykata Kushtetuese sërish do ta shpall si jokushtetuese.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Hill: E rëndësishme lidhja midis shteteve
Komentet e tilla presidenti i bëri në konferencën me temë “Sfidat e sigurisë rajonale dhe zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ku i ftuar ishte dhe ambasadori i ShBA-ve në Serbi, Kristofer Hill. Sipas ambasadorit Hill, zhvillimi rajonal dhe lidhja midis shteteve është tejet e rëndësishme për një rajon të integruar.
“Pjesëmarrja e Maqedonisë në Ballkanin e Hapur është çështje tejet e rëndësishme. Do të dëgjoni se është një konspiracion, se Serbia dhe Shqipëria do të kombinohen në një aleancë dhe do të udhëheqin Ballkanin. Jo, nuk ka dëshmi për një qasje të tillë. Në thelb tentohet të krijohet fqinjësi e mirë dhe i bën kufijtë të mos ndajnë, por të bashkojnë.”, - theksoi ambasadori i ShBA-ve në Serbi, Kristofer Hill.
Korridoret 8 dhe 10-D, gjithsej 110 kilometra autostradë, parashikojnë më pak kosto për transport të shpejt, lidhjen e vendit me vendet e tjera evropiane dhe zhvillim ekonomik dhe rajonal të vendit.
MERAL ISMAILI
