Botë

Sulm me armë në një shkollë në Beograd, u vranë 8 nxënës dhe një roje sigurie

03.05.2023 15:07

Tetë nxënës dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar”...

Tetë nxënës dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë. Sipas njoftimit, po ashtu janë lënduar edhe 7 persona, 6 nxënës dhe një mësues, të cilët ndodhen në trajtim mjekësor. Vrasjen e ka kryer një nxënës i klasës së shtatë me iniciale K. K. 14 vjeç, i cili u arrestua nga policia.
 
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e babait të tij në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës. Nxënësit dhe prindërit të cilët me të dëgjuar për sulmin e armatosur vrapuan menjëherë drejt shkollës, thonë se bëhet fjalë për një situatë të tmerrshme.
 
“Isha poshtë, kishim orë sporti, i dëgjova krismat, ishte e vazhdueshme, jo vetëm një krismë, nuk e dija se çfarë po ndodhte. Morëm porosi në telefon. Më herët ishim në klasë të njëjtë me sulmuesin. Ishte njeri i qetë, kishte nota të mira, por nuk dinim shumë për të. Definitivisht nuk prisja të ndodhë kjo.”, - tha një nxënëse.
 
“Fëmija im e ka mbijetuar këtë. Nuk mund ta paramendoni se çfarë ka parë se si rrëzohen njerëzit, krisma, përpjekje për të ikur. Ka menduar se djali me pistoletë do të vraponte pas saj.”, - u shpreh një nënë.
 
Incidenti ka ndodhur në orën 8 e 45 minuta të mëngjesit pas çka menjëherë ka intervenuar dhe e ka arrestuar sulmuesin, i cili e ka thirrur vet policinë pasi e ka kryer sulmin. Ai paraprakisht kishte përgaditur një listë të nxënësve që do t’i vriste, pasi siç ka bërë të ditur policia, nxënësi sulmin e kishte përgatitur me muaj. Motivet nuk i ka bërë të ditur sulmuesi, por dyshohet se ka pasur mosmarrëveshje me nxënësit që i ka përfshirë në listën për t’i ekzekutuar.  Qeveria e Serbisë ka shpallur tre ditë zie pas tragjedisë.
 
GYLTENE SINANI