Maqedoni
Korridori 8, Grubi: Projekti ishte bllokuar nga politikat antishqiptare
03.05.2023 15:24
Korridori 8 është projekti më i madh në historinë e ekzistimit të Maqedonisë së Veriut...

Korridori 8 është projekti më i madh në historinë e ekzistimit të Maqedonisë së Veriut. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në emisionin “Argument” në TVM-2. Sipas tij, me vite të tëre ky projekt ka qenë i bllokuar në sirtarët shtetëror, si pasojë e politikës nacionaliste dhe antishqiptare, por më në fund shqiptarët ia arritën që ta ecin përpara këtë projekt.
“Po ta marrësh parasysh, të gjitha punët që janë bërë, po flas në aspektin infrastrukturor, jo çështje politike, që nga pavarësia e deri më sot, nëse i mbledhim të gjitha projektet që janë bërë nga partitë politike shqiptare nuk e di a mund të arrijnë te 10% i vlerës së këtij projekti. E shihni se reagimet janë shumë agresive në opinion për fat të keq dhe filluan kur e panë se u bë realitet. Derisa nuk u nënshkrua më 8 mars nuk e besonin askush se do t’ia dalim.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Grubi optimist për ndryshimet kushtetuese
Duke komentuar rreth procesit të ndryshimeve kushtetuese, Grubi u shpreh optimist se ky proces do të kaloj me sukses. Sipas tij, ka individë në opozitën maqedonase të cilët janë pro rrugës evropiane të vendit.
“Ne po bisedojmë me deputetë të opozitës, jam i bindur nga kontaktet të cilat i kemi bashkërisht, që ka frymë evropiane brenda VMRO-DPMNE-së, ka frymë e cila nuk pajtohet me politikat e udhëheqësisë aktuale të VMRO-DPMNE-së dhe unë vlerësoj se me punë të sinqertë, me këtë grup evropian brenda koalicionit të VMRO-DPMNE-së, ne do të arrijmë që ta bëjmë këtë ndryshim dhe përfundimisht të arrijmë politikën të zero problemeve me fqinjët, në mënyrë që të ecim përpara.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Grubi: Fronti evropian shpëton vendin nga izolimi
I pyetur nëse ka plan B, po që se dështon procesi i ndryshimeve kushtetuese, zëvendëskryeministri Grubi tha se ideja e një fronti pro-evropian është mënyra e vetme për t’u larguar nga politika izoluese.
“Unë vlerësoj që kjo është formula e daljes nga ky qorrsokak, në të cilën po na fut opozita, mirëpo po shpresojmë dhe punojmë që kjo të mos ndodhë, për shkak se po dëshirojmë që ndryshimet kushtetuese t’i përfundojmë në këtë mandat, në qoftë se nuk do të arrijmë, qytetarët do ta kenë të qartë se kemi forca të cilat e pengojnë ecurinë evropiane dhe ke forca të cilat promovojnë frymën evropiane dhe zgjidhja do të jetë shumë e qartë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit opozitar mes Lëvizjes “Besa” dhe Alternativës, Grubi tha se nuk sheh asgjë shqetësuese nga bashkëpunimet e tilla.
ERSAN PAJAZITI
