Maqedoni
Situata në Këshillin Gjyqësor, Pendarovski: Kritikat e ndërkombëtarëve, më të ashprat deri sot
03.05.2023 16:27
Situata e fundit në Këshillin Gjyqësor me shkarkimin e Damevës paraqet skenë të pakëndshme...

Situata e fundit në Këshillin Gjyqësor me shkarkimin e Damevës paraqet skenë të pakëndshme, aq më tepër në një shtet që negocion me BE-në ,thotë shefi i shtetit, Stevo Pendarovski. Sipas tij, kritikat e ashpra për jurisprudencën vijnë me të drejtë nga faktori ndërkombëtar, ndërsa vendit kjo i kushton me njollosje të demokracisë. Dëmtohen edhe gjykatësit tjerë, sepse nuk mund t’i marrin pagat.
“Kjo situatë duhet të rregullohet një orë e më parë, jo vetëm për pagat e gjykatësve, por për faktin se kjo situatë e njollosë dosjen evropiane demokratike të RMV-së, ku jo rastësisht i kemi reagimet edhe nga BE-ja edhe nga ambasada e ShBA-së. Këto janë reagimet më kritike dhe më të ashpra për gjendjet e sistemit të jurisprudencës në vendin tonë që nga vitet e 90-ta.”, - deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Lloga: S’kemi procesverbal, vendimi ligjërisht i pambaruar
Shkarkimi i Damevës nuk ka formalitet të plotë derisa vendimi nuk është shpallur në gazetën zyrtare dhe njëherit ministria e drejtësisë nuk ka pranuar procesverbal të seancës, shprehet ministri, Krenar Lloga. Në mungesë të këtij akti final, ai nuk dëshiron ta komentojë më tepër rastin në fjalë.
“Kemi vërtetuar se procesverbale të tilla nuk janë lëshuar tek ne, përveç asaj që ju keni dhënë në media. Pjesa tjetër mbetet e paqartë, sepse nuk është shpallur asnjë vendim në gazetën zyrtare. Kështu që nuk dua të hy në këtë problematikë, sepse nuk e kam letrën të cilën e kam kërkuar unë si ministër.”, - theksoi ministri i drejtësisë, Krenar Lloga.
VMRO-DPMNE: Duam debat në Kuvend
Tema aktuale komentohet në vazhdimësi nga partitë politike. VMRO-DPMNE-ja kërkon nga Kuvendi t’i sigurojë çështjes vend në seancë plenare.
“Me dorëzimin e këtij informacioni në Kuvend, kërkojmë përgjigje të shpejta dhe urgjente nga më përgjegjësit të cilët e sollën Këshillin Gjyqësor në nivel privat dhe e bënë mjet pazari mes partive dhe koalicionit, si dhe përgjegjësi dhe ndaj atyre që më herët dhanë përkrahjen për Damevën.”, - u shpreh Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
Gjyqësori gati i rrënuar, LSDM: S’kemi të drejtë përzierje në Gjyqësor
LSDM qëndron pas ligjores se gjyqësori është pushtet i ndarë dhe i pavarur, por gjithsesi grupi parlamentar ka diskutuar mbi situatën e gjyqësorit.
“Ne nuk mundemi dhe nuk kemi të drejtë të ndikojmë në vendimet e tyre. Periudhën e fundit në nivel të grupit koordinues e kemi shqyrtuar këtë situatë për të parë çka mund të bëhet ligjërisht, që të rregullohet ajo që ndodhë në Këshillin Gjyqësor.”, - theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
Pas shkarkimit të Damevës, tentativa për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor ka dështuar dy herë dhe seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
